Menaxhim

Balluku: Rritja e buxhetit dhe punonjësve për mbrojtjen kibernetike. SHBA dhe BE premtojnë 60 mln euro

Nga Gazeta ‘SI’ – Shtimi i fondeve dhe rritja e burimeve njerëzore janë dy prioritetet e qeverisë shqiptare në qëllimin e saj për mbrojtjen kibernetike të shtetit.

Zv.kryeministrja, Belinda Balluku në konferencën “Sfidat e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri” përmendi se në planin strategjik të qeverisë për ngritjen e infrastrukturës së sigurisë kibernetike fokus kryesor janë kapacitetet njerëzore dhe profesionistë të fushës, që në Shqipëri janë të pakët.

Balluku njoftoi dhe kreun e ri të Autoritetit Kombëtar Për Certifikimin Elektronik, AKCESK, ekspertin e IT-së, Igli Tafa.

“Ne po i besojmë Iglit sigurinë kibernetike të shtetit tonë. Jemi në një moment delikat. Sulmi nga Irani e bëri qeverinë dhe më të ndërgjegjshme për sigurinë kibernetike dhe kërcënimin real. Ne duhet të punojmë për kapacitetet njerëzore vendase që janë të pakta. Kemi nevojë për përmirësim të kaudrit ligjor, por që vjen me eksperiencën”, – u shpreh zv.kryeministrja.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pjesë e konferencën njoftoi se shumë shpejt do të nisë punën Qendra Operacionale e sulmeve kibernetike dhe Qendra e Inovacionit, brenda kësaj ministrie. Peleshi njoftoi se si prioritet i qeverisë, për këtë sektor do të ketë trefishim të strukturës ushtarake dhe reformim total të sistemit të pagave.

“E keqja nuk vjen vetëm për keq. Ishte një rast që ngriti alarmin dhe tani mbrojtja kibernetike është prioriteti jonë. Siguria kibernetike është tani domain i pestë i kërcënimit dhe nga NATO. Shqipëria është në avangard me shtetet e rajonit në këtë fushë, kemi rritur buxhetet dhe masat për edukimin, lobimin dhe rrjetin e partnerëve. Shqipëria është tani një case study për vendet e tjera”, – mbylli fjalën e tij ministri Peleshi.

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim ishte në paneli e folësve të kësaj konference, ku garantoi dhe premtoi mbështetjen e Amerikës në këtë proces në rritje për vendin tonë, e cila në fakt është  sfidë globale.

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim në konferencën “Sfidat e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri”

“SHBA dënoi Iranin dhe shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë përballë këtij sulmi. Duke filluar nga muaji korrik SHBA-të kanë dërguar vazhdimisht pa ndërprerje ekspertët tanë më të mirë për të punuar me shqiptarët. Për të analizuar, për të identifikuar dobësitë e mundshme dhe për të marrë masat.  Dy javë më parë, ministri juaj i Mbrojtjes diskutoi përgjigjen tonë të përbashkët për sigurinë kibernetike me Sekretarin tonë të Mbrojtjes. Ju nuk jeni vetëm në përgjigjen ndaj sulmit kibernetik. Ne duhet të identifikojmë mbrojtjen tonë kolektive. 50 milionë dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe kjo është vetëm fillimi. Jemi gati për të siguruar çdo gjë që Shqipëria të mbrojë veten. Duhet të pranojmë se sulmet do të vazhdojnë të jenë kërcënim i përhershëm. Ato nuk zhduken”,- tha ambasadorja Kim.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann tha se ndërkombëtarët duhet të ofrojnë sa më shumë ndihmë për Shqipërinë në luftën kundër sulmeve kibernetike dhe të dënojnë sulmuesit.

“Ne mobilizuam ekspertë kur sulmi nga Irani ndodhi. Të gjitha shërbimet duhet të jenë të mbrojtura, jo vetëm strukturat e larta. Ndihma jonë në vitet e ardhshme shkon në 15 mln euro dhe nuk duhet të jetë e përkohshme, por e përhershme. AKCESK dhe AKSHI duhet të përmirësojnë kapacitet e veta. Janë sulme që ndodhin në çdo fushë”, – tha ambasadorja Hohmann.

Ambasadori Guido De Sanctis, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri tha se bashkëpunimi është thelbësor në një nismë të kjo duke rikujtuar se sulmi nga Irani nuk do të trajtohej dot nga Shqipëria  pa ndërhyrjen e partnerëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë