Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria është ndër vendet që kanë bërë përparim të konsiderueshëm në indeksin e Demokracisë të The Economist për vitin 2022. Vlerësuar me 6.41 pikë, Shqipëria ka pikëzimin më të lartë në rajon, me rritje 0.30 pikë nga viti 2021. Gjithsesi vendi jonë vazhdon të përcaktohet si “demokraci me të meta”, siç është në fakt i gjithë rajoni. Sipas definicionit, “demokraci me të meta” është një demokraci ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si liria e medias apo ndrydhja e opozitës dhe krizës.
Në vitin 2022, rezultatin më të lartë Shqipëria e ka në treguesin e lirive civile me 7.35 pikë. Treguesi i dytë me pikëzimin më të lartë është procesi zgjedhor dhe pluralizmi me 7 pikë, ndjekur nga funksionimi i qeverisë me 6.43 pikë dhe kultura politike me 6.25. Treguesi me rezultatin më të dobët është ai i pjesëmarrjes politike, me vetëm 5 pikë.

Sipas tabelës së The Economist ky është vlerësimi më i lartë ndonjëherë i Shqipërisë në këtë index që nga 2006-a.
Në panoramën botërore, demokracia në vitin 2022 ishte zhgënjyes dhe pse e kundërta pritej si rezultat i postpandemisë. Pikëzimi global shkoi në 5.29 nga 5.28 që ishte një vit më parë, më poshtë se viti i pandemisë.
Më e rëndësishmja ndër vendet që performoi më dobët në vitin 2022 ishte Rusia, e cila kishte përkeqësimin më të madh të rezultateve të çdo vendi në botë. Rezultati i Rusisë ra me 0.96 pikë në 2.28 nga 3.24 në 2021 dhe renditja e saj globale ra nga e 124-ta në 146, afër fundit të renditjes globale. Bjellorusia, presidenti i së cilës Alyaksandar Lukashenka është aleat i ngushtë me homologun e tij rus, gjithashtu pësoi një rënie të mprehtë në rezultatin e tij të Indeksit të Demokracisë.
Tajlanda regjistroi përmirësimin më të madh të rezultatit të përgjithshëm në 2022, duke e rritur totalin e tij nga 6.04 në 2021 në 6.67 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



