Nga Gazeta ‘SI’- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka kërkuar një koordinim të politikave vendase dhe ndërkombëtare për të menaxhuar situatën e emigrimit në vend. Sipas Sejkos, emigracioni në rritje në Shqipëri dëmton tregun e punës, sidomos fushat më të kualifikuara dhe dëmton perspektivat afatgjata të rritjes ekonomike të vendit.
“Ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Për këtë arsye, mendoj se nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve,” -tha Sejko.
Guvernatori përmendi edhe anët pozitive të saj, siç janë flukset hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit.
Gjithsesi, për Guvernatorin, harmonizimi i politikave fiskale dhe monetare, mbetet debati thelbësor i stabilitetit ekonomik.
Ai rikujtoi projeksionet e BSH-së, se inflacioni do të kthehet në objektiv gjysmën e parë të 2024-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.