Njerez

‘Disa fëmijë trafikohen me dëshirë’. Gazetari i BBC hap debat për emigrantët shqiptarë

Një gazetar i BBC-së ka shkaktuar një reagim të ashpër pasi tha se emigrantët e rinj “trafikohen me dëshirë” në Britani pasi u premtohet punë.

Mark Easton po diskutonte një letër dërguar nga më shumë se 100 organizata kryeministrit Rishi Sunak, duke kërkuar një hetim të pavarur se si më shumë se 200 fëmijë azilkërkues janë “zhdukur” nga hotelet e Home Office.

Duke e përshkruar situatën si “një skandal për mbrojtjen e fëmijëve”, organizatat paralajmëruan se fëmijët ishin në rrezik shfrytëzimi.

Easton theksoi se 9 nga 10 fëmijë të pashoqëruar në hotelet në Britani janë djem shqiptarë që “pretendojnë se janë 16 ose 17 vjeç”.

Më pas ai tha se duket se të rinjtë nuk zhduken, thjeshtë fillojnë punën që u është premtuar.

“Të rinjtë shpesh vijnë vetë me dëshirën e tyre. Vijnë duke e ditur se do të punësohen nga bandat kriminale në Britani.

“Zhduken nga hotelet sapo të kenë mundësi dhe shpesh gjenden duke punuar në lavazhe apo shtëpia bari”.

Zehrah Hasan, drejtoreshë e Këshillit të Përbashkët për Mirëqenien e Emigrantëve (JCËI), i tha Yahoo News UK se komentet e Easton ishin “tronditëse dhe të turpshme”.

“Këtu po flasim për fëmijë, fëmijë që meritojnë të njëjtën dashuri, kujdes dhe mbrojtje siç do të dëshironim për fëmijët tanë. Është tronditëse dhe e turpshme që gazetari i BBC la të kuptohej se këta fëmijë ishin disi fajtorë për shfrytëzimin e tyre. Nuk është e mundur të ‘trafikohen me dëshirë’”, tha ajo duke shtuar se në fakt të rinjtë mashtrohen nga grupet kriminale dhe shfrytëzohen për punë të detyruar.

Zoe Gardner, e cila punon për mbrojtjen e refugjatëve shkroi në Twitter: “16 vjeçarët janë ende fëmijë ndaj të cilëve qeveria ka detyrë të kujdeset. Fëmijët që janë mashtruar se do të kenë një punë të mirëpaguar në Britani, duke u trafikuar për të punuar në skllavëri moderne në shtëpitë e kanabisit apo biznese të tjera të paligjshme nuk janë fajtorë”.

Deputetja laburiste Debbie Abrahams shkroi: “Si mund të thuash që dikush është trafikuar ‘me dëshirë’? Sidomos nëse është një i ri?”.

Avokatja Gemma Abbott i përshkroi komentet e Eaton si “absolutisht të tmerrshme”, ndërsa Nadia Inha, e cila punon për JCWI, shkroi në Twitter: “Është e neveritshme që po bëhen dallime të tilla për djemtë shqiptar. Janë fëmijë”.

Ministri i Emigracionit Robert Jenrick u tha deputetëve të martën se më shumë se 4,600 fëmijë të pashoqëruar janë akomoduar në hotele që nga korriku 2021.

Ai shtoi se ka pasur 440 raste të zhdukjes dhe 200 fëmijë mbeten të zhdukur, 13 prej të cilëve janë nën 16 vjeç dhe vetëm një prej tyre është femër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë