Menaxhim

BQE do të rrisë normën e interesit në 3.25% deri në mes të vitit

Banka Qendrore Europiane do të ndërmarrë një rritje të normave të interesit me 0.5% në secilin prej dy takimeve të saj të ardhshme, sipas ekonomistëve të anketuar nga Reuters.

Megjithatë, parashikimet e tyre vazhdojnë të mbeten më të vogla sesa udhëzimet e politikëbërësve lidhur me nivelin e lartë që do të arrijnë normat.

Përcaktuesit e normës nuk kanë arritur të bindin tregjet lidhur me angazhimin e tyre për të vazhduar me rritjen e kostove të huamarrjes në mënyrë që të frenojnë inflacionin, siç duket nga rezultatet e sondazhit, i cili tregoi se banka qendrore do të ndalonte me rritjet e saj kur norma e depozitave të arrijë në 3.25% gjatë tremujorit të ardhshëm.

Gjetjet e fundit të sondazhit vijnë pavarësisht faktit se presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, u tha investitorëve në Davos javën e kaluar se ata duhet të “rishikojnë pozicionet e tyre”, duke shtuar kështu rëndësinë e komenteve të mëparshme të bëra nga politikëbërësit holandezë dhe letonezë.

Edhe pse banka qendrore e eurozonës ka rritur normat me ritmin më të shpejtë në historinë e saj, ajo deri më tani nuk ka arritur që ta sjellë inflacionin pranë objektivit prej 2%. Çmimet u rritën me 9.2% në dhjetor krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara javën e kaluar.

Lagarde dhe Këshilli Drejtues i bankës do ta çojnë normën e depozitave në 2.50% më 2 shkurt, thanë 55 nga 59 ekonomistët e anketuar në sondazhin e kryer midis periudhës 13-20 janar. Ata me shumë mundësi do të ndërmarrin një rritje tjetër prej 0.5% në mars.

Banka qendrore më pas do të ndërmarrë edhe një rritje prej 0.25% në tremujorin e ardhshëm, përpara se të ndalojë, duke arritur kështu një normë terminale në ciklin aktual prej 3.25%, më e larta që nga fundi i vitit 2008. Në sondazhin e muajit dhjetor, norma pritej të arrinte 2.50% në fund të marsit dhe do të rritej deri në 2.75%.

Të pyetur se çfarë mendonin lidhur me rreziqet në parashikimet e tyre të normës së depozitave terminale, mbi dy të tretat e të anketuarve, 23 nga 33, thanë se kishte më shumë gjasa që norma të ishte edhe më e lartë nga sa prisnin aktualisht, por jo më e vogël.

“Rreziku është se ata në fakt do të jenë aq agresivë sa kanë pretenduar. Lagarde dhe të tjerët kanë thënë se kjo periudhë e rritjes së normave do të vazhdojë për një periudhë të gjatë, në çdo takim të vitit 2023,” tha Silke Tober nga Instituti i Politikave Makroekonomike.

“Është një rrezik shumë i qartë, por besoj se do të ishte një gabim”.

Norma e rifinancimit pritet të rritet me 50 pikë bazë për të shkuar në 3.00% javën e ardhshme dhe të arrijë pikun prej 3.50% në mars.

Rezerva Federale e SHBA, e cila filloi të rrisë normat disa muaj përpara BQE-së, parashikohet të përfundojë ciklin e saj shtrëngues pas një rritjeje prej 25 pikësh bazë në të dyja takimet e ardhshme të saj. Më pas, ajo pritet që t’i mbajë normat të pandryshuara të paktën për pjesën tjetër të vitit, sipas një sondazhi të fundit nga Reuters.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë