Njerez

Gjysma e azilkërkuesve në Britani që mund të dërgohen në Ruandë janë të martuar

Sipas një sondazhi të ri, gati gjysma e azilkërkuesve që përballen me largimin në Ruandë janë të martuar dhe shumë prej tyre kanë edhe fëmijë.

Gjetjet u publikuan nga koalicioni i më shumë se 500 organizatash kombëtare që përfaqësojnë refugjatët.

Organizata Care4Calais kreu analizën.

Në studim u zbulua gjithashtu se shumica e azilkërkuesve që mund të dërgohen në Ruandë janë nga vende ku më shumë se 80% të njerëzve u është njohur statusi i refugjatit nga MB.

Gati tre të katërtat (72%) e njerëzve në një kampion prej 213 personash që u kërcënuan se do të dërgoheshin në Ruandë nga Ministria e Brendshme kanë ikur nga vende të tilla si Afganistani, Eritrea, Irani, Sudani dhe Siria. Të paktën 82% e njerëzve nga këto vende kanë aplikime të suksesshme në MB.

Të gjithë personat e anketuar morën njoftime nga Home Office midis gushtit 2022 dhe 17 janarit 2023. Kushdo që merr një njoftim të tillë rrezikon të dërgohet në Ruandë.

Kur Priti Palet ishte sekretare e brendshme tha se “vetëm në 12 muajt e fundit, 70% e personave që kanë ardhur në Britani ilegalisht janë beqarë që po mashtrojnë se janë të martuar dhe me fëmijë”.

13 prej të anketuarëve janë gra dhe gati gjysma e kampionit total, 42% janë të martuar ose të fejuar dhe 20% kanë fëmijë. Dy të tretat kanë raportuar se janë viktima të skllavërisë moderne.

Një sondazh i fundit i YouGov zbuloi se vetëm 10% e të anketuarve mendonin se dërgimi i njerëzve në Ruandë ishte mënyra më e mirë për të adresuar problemet e emigrantëve ilegal.

Beth Gardiner-Smith, zëdhënëse e Together With Refugees tha se skema e dërgimit të emigrantëve në Ruandë është e gabuar dhe e shtrenjtë.

“Nëse qeveria jonë do të ishte serioze për trajtimin e trafikimit dhe shpëtimin e jetëve në det, do ta anulonin këtë plan dhe do të zgjeronin urgjentisht rrugët e sigurta për refugjatët”.

Clare Moseley, themeluesja e Care4Calais, tha se kjo politikë brutale nuk do t’i japë fund kalimeve me varka të vogla, nuk do të ndalojë trafikantët e njerëzve dhe nuk do t’i mbajë refugjatët të sigurt.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë