Nga Gazeta Si - Ndahet nga jeta Sanie Baçova, artistja që zbuste kafshët e cirkut shqiptar.
Përfaqësues të Cirkut Kombëtar kanë ndarë lajmin e hidhur duke treguar se Baçova ishte gruaja e parë që kishte profilin e mësuesve me “nxënës-qen”.
Në një mesazh në faqen zyrtare të Cirkut Kombëtar, i kushtohet edhe një homazh Baçovës, e cila në vitin 1964, e nisi karrierën e saj, mes akrobatëve, zhonglerëve, ekuilibristëve dhe klounëve.
Siç përkujtohet, ajo mbante në dorë një shkop të hollë, të vogël, duke zhvilluar një orë mësimi në një klasë me banka, dërrasë të zezë, ku “nxënësit” e saj ishin Rrapi, Xhina, Diana dhe Luçi.
“Mësuesja e tyre, Sania i drejtonte të sistemoheshin nëpër banka të rrinin urtë e të silleshin mirë, të kishin mendjen në mësim. Ishte ora e matematikës”, lexohet më tej në postimin e Cirkut Kombëtar, duke shtuar për Baçovën se shkruante numra në dërrasë dhe “nxënësit-qen”, me lehjet e tyre, jepnin zgjidhjen e veprimit matematikor.
Ky numër më pas, u shfaq për spektatorët në premierën “Fluturime akrobatike”, duke u pritur me kureshtje dhe duartrokitje, por edhe me të qeshura zbavitëse.
Për të parën herë, publiku kishte parë në cirk një zbutëse kafshësh grua.
“Kjo ishte ngjarja që do të mbetet në kujtesën e historisë, si zbutësja e parë e kafshëve dhe e vetme në Artin e Cirkut Shqiptar”, thuhet më tej në postimin e Cirkut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.