Gazeta Si - Teksa ka qëndruar më shumë se një orë në ambientet e SPAK-ut, ku kanë përfunduar hetimet për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediut i është komunikuar akuza për shpërdorim detyre.
Pas daljes nga Prokuroria Posaçme, ish-ministri i Mbrojtjes ka thënë se është i pafajshëm, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë akuzë shtesë nga prokurorët.
“Më është prezantuar e njëjta akuzë. Ajo e 2009-së, akuzë e motivuar politikisht pa asnjë provë shtesë. Shpërdorimi i detyrës. Kam kërkuar që të pyetem që në fillim. Nuk jam pyetur për aktin e firmossjes, ka 15 vjet. Motivimi politik është në akuzën e bërë. Nuk është urdhri i ministrit që ka shkaktuar tragjedinë. Çdo letër që unë kam nxjerr ka qenë me referenca ushtarake dhe civile”, - tha Mediu.
"Ajo që mu paraqit është fashikulli i dosjes së prokurorisë së Përgjithshme. Qëndrimi im është se jam i pafajshëm. Nuk e pranoj akuzën. Është sipas marrëveshjeve me Pentagonin me praktikat e demontimit me analizë ndërkombëtare”, vijoi ai.
Sipas SPAK, Mediu ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.
Ky është përfundimi që ka arritur pas hetimit disa mujor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) për ish ministrin e Mbrojtjes.
Prokuroria e Posaçme ka hapur çështjen dhe vijon hetimet që prej një viti tashmë, për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit.
SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues.
Sipas avokatëve të tij, ky vendim cenon parimin e çështjes së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, të parashikuara nga Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.