Dosje

Vjedhja e qindra mijëra eurove, përgjimi në ambientet e paraburgimit zbuloi nënë e bir

Gazeta Si - Një bisedë e përgjuar mes Rozeta Dobit dhe Havier Dobit në ambientet e paraburgimit të drejtorisë së Policisë në Tiranë, ka zbuluar shumën e dytë të gjetur prej 400 mijë eurosh në banesën e tyre.

Gjatë përgjimit në qeli, mësohet nënë e bir janë shprehur se nuk e kanë gjetur “shumën e madhe”, por vetëm 120 mijë euro. Nga ky audiopërgjim policia ka arritur të gjejë paratë e fshehura në tubin e aspirimit.

Pikërisht prej këtyre indicieve, policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë nisur hetimet për të gjetur origjinën e parave të vjedhura në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi.

Në rast se këto para rezultojnë të padeklaruara, atëherë do të ngrihet akuzë ndaj ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt.

Sa i përket hetimeve nga të dyja palët, po hetohet për shumën e dytë të parave, mbi 400 mijë euro të cilat u gjetën në tubin e aspirimit në banesën e nënë e bir.

Se ku janë vjedhur nuk është përcaktuar ende, megjithëse dyshimet janë se janë marrë në të njëjtën banesë te rruga e “Kosovarëve”.

Të shtunën e 7 janarit policia njoftoi arrestimin e Rozeta dhe Havier Dobit për vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë ku gruaja ishte punonjëse e mirëmbajtjes.

Pas kontrolleve të mëtejshme në banesën e tyre u gjetën dhe para të tjera në tubin e aspirimit.

Mësohet se pronarja e shtëpisë Alda Klosi ka qenë jashtë vendit dhe para se të largohej i ka dorëzuar një kopje të çelësit pastrueses, e cila më pas bashkë me djalin e saj ka ndërhyrë në kasafortë.

Sakaq, policia e Tiranës ka dyshime se Rozeta dhe Havier Dobi, janë të përfshirë në të paktën 4 grabitje të tjera.

Nga burime paraprake, mësohet se policia po kontakton të gjithë pronarët e banesave ku punonte Dobi, me qëllim marrjen e informacioneve për shumat e mundshme që mund të jenë vjedhur në banesat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë