Menaxhim

Shqiptarët kanë oraret më të gjata të punës në Europë, por edhe përqindjen më të lartë të vetëpunësimit

Punonjësit në Shqipëri kanë oraret më të gjata të punës në Europë, sipas raportit të Komisionit Europian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen.

Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë.

Pas tyre renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.

Bujqësia është sektori që mba peshën për orët më të gjata të punës e ndjekur nga operatorët e impianteve dhe makinerive, transportit dhe më tej ndërtimit.

Gjithashtu raporti thekson se dukuria e orëve të gjata ishte më e shpeshtë në vendet më të vogla të punës dhe jo në vendet e mëdha, me shumë staf.

Sondazhi i cili realizohet një herë në pesë vjet dhe anketon rreth 70.000 punëtorë në 36 vende europiane, thotë se ky numër i lartë i orëve të punës lidhet kryesisht me punën gjatë fundjavave. Ai gjithashtu thekson se orët e gjata shoqërohen me sëmundje shëndetësore si sëmundje koronare të zemrës, ankth, cregullime me gjumin, depresion dhe ndikojnë në balancën mes punës dhe jetës personale.

Në vendet e Bashkimit Europian, burrat punojnë rreth 42 orë në javë ndërsa gratë rreth 37 orë.

Në Francë, Danimarkë, Norvegji dhe Zvicër java 40-orëshe e punës bëri përjashtim nga vendet e tjera, përkatësisht sipas renditjes me 35, 37, 38 dhe 42 orë. Shumica dërrmuese e punëtorëve (70%) raportuan se kishin një javë pune pesë-ditore, ndërsa pjesa tjetër ndahej pothuajse në mënyrë të barabartë midis punës katër ditë ose më pak (16%) dhe punës gjashtë ose shtatë ditë (15%) në javë.

Në 2021-shin, 19% e punëtorëve në BE (13% e femrave dhe 24% e meshkujve) raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë.

Ndërsa mes të vetëpunësuarve përqindjet ishin më të mëdha: 52% e meshkujve dhe 35% e femrave.

Përqindja e punëtorëve që raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë ndryshonte shumë sipas vendit: 34% e punëtorëve në Greqi, 26% në Rumani, 24% në Poloni dhe 23% në Çeki, por vetëm 10% e punëtorëve në Holandë dhe 9% në Danimarkë.

Vetëpunësimi ka rënë paksa në BE ndër vite, nga 10.2% në 2010 në 8.9% në 2021, edhe pse më shumë për meshkujt (1.6 pikë përqindje ulje) se sa për gratë (0.8-pikë përqindje).

Vetëpunësimi ishte më i zakonshmi në 2021-shin në vendet që nuk bëjnë pjesë në BE, veçanërisht Shqipëria (35% e të gjithë punëtorëve) dhe Serbia (16% e të gjithë punëtorëve).

Ndër shtetet anëtare të BE-së, Greqia (16%), Polonia dhe Italia (të dyja 15%) kishin përqindjet më të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë