Gazeta Si – Shumë mund të flasin për Pelènë futbollist, por ‘O Rei’-n aktor e kanë parë pak. Mes tyre është Osvaldo Ardiles, kampion bote me Argjentinën në 1978-ën dhe shok në sheshxhirim me brazilianin për filmin e famshëm ‘Arratisje për fitoren’.
Në një intervistë për ‘AS’, Ardiles ka folur shumë për këtë film, duke treguar çfarë ndodhte realisht dhe duke shpjeguar se ‘O Rei’ ndikoi në ndryshimin e fundit të filmit, sepse e shikonte pak të ekzagjeruar skenarin.

Fillimisht argjentinasi ka folur për atmosferën gjatë xhirimeve. “Ishim për një muaj e gjysmë në Budapest, ishte shumë bukur. Çdo ditë përfundonim xhirimet dhe pastaj nuk kishim shumë për të bërë. Flisnim për futbollin dhe ato që i quanim ‘kuadrate’, që ndonjëherë zgjasnin deri në 3 të mëngjesit. Sigurisht, të gjithë i bënim shumë pyetje Pelèsë, i cili na ka treguar shumë histori. Ishte vërtet bukur”.
Si përfundoi Ardiles në atë film? E thjeshtë… “Më zgjodhën, sepse luaja në Angli dhe plotësoja gjithë kushtet që duheshin: isha kampion bote, isha i vogël dhe shumë i dobët. Duhej të dukesha sikur po vdisja nga uria, sepse filmi fliste për një kamp përqendrimi”.
Ardiles shpjegon se filmi duhej të kishte nëj fund tjetër, por Silvester Stalone nuk e kishte idenë çfarë ishte topi. Aty ndërhyri braziliani. “Skenari parashikonte që pasi të priste penalltinë, që e shkaktova unë, Stalone duhej të merrte topin, të driblonte të gjithë gjermanët dhe të shënonte. Por Bobi Mur dhe Pelé thanë se ishte e pamundur, sepse Stalone nuk arrinte as të kontrollonte topin.

Ishte e diel dhe duhej të përfudonim xhirimet me çdo kusht, kështu që në fund u modifikua skenari”. Filmi bëri historinë dhe Ardiles pohon se ai i la në hije edhe titullin kampion bote të 1978-ës.
“Përveç faktit që u argëtova shumë, efektet e atij filmi ishin shumë të mëdha. Kam qenë 8 vjet trajner në Japoni dhe më flisnim vetëm për atë film. Unë u thosha ‘shikoni se kam dalë kampion bote’, por të gjithë më pyesnin vetëm për filmin”. Efektet e të shkruarit të historisë së futbollit dhe kinematografisë bashkë me Pelè!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



