Menaxhim

Gjatë pandemisë, punonjësit në Shqipëri me përqindjen më të lartë të punës nga zyra

Shqipëria është një ndër shtetet që kishte përqindjen më të lartë të punonjësve që punuan nga zyrat gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Këto janë gjetjet e një ankete të Eurofound sipas së cilës një përqindje e lartë e punonjësve në BE edhe pas heqjes së masave kufizuese vijojnë punën online. Por në Shqipëri, 70% e tyre të cilët kishin mundësi për të punuar në distancë gjatë pandemisë, nuk e bënë.

Edhe pas kalimit të pandemisë, Shqipëria ka përqindjen me të ulët të këtij modeli punësimi.

Në pranverë të këtij viti, kur u zhvillua anketa, rreth 3 për qind e punonjësve në Shqipëri raportuan se vijojnë punën në distancë dhe rreth 5 për qind e punonjësve se bëjnë punë të kombinuar zyrë -shtëpi. Rreth 92 e tyre punon në zyrë.

“Kjo sugjeron që për vendet fqinje të BE-së, puna nga vendi i punës preferohet ose është opsioni i vetëm i mundshëm, për shkak të kufizimeve digjitale të infrastrukturës ose çështjeve të tjera të lidhura me rregullat për angazhimet fleksibël në punë”, theksohet në anketë.

42% e të anketuarve thonë se infrastruktura digjiale e kufizuar mbetet problemi kryesor në vendet fqinje të Bashkimit Europian. Rreth 19% e të anketuarve nga këto vende konsiderojnë lidhjen e tyre të internetit si jashtëzakonisht problematike, në ndryshim nga 7% e të anketuarve nga BE.

Në vendet e BE-së vijon puna në distancë

Sipas anketës, sot, pothuajse një e pesta e të anketuarve në BE punojnë nga shtëpia(19% e meshkujve të anketuar dhe 18% të grave të anketuara), ndërsa në vendet fqinje vetëm 5% e meshkujve dhe grave të anketuara.

Në Irlandë, 22 për qind e punonjësve punonin nga shtëpia në pranverë, në kohën kur u zhvillua anketa dhe gati 25 për qind e me kombinim zyrë -shtëpi.

Ndërsa Belgjika, Austria, Holanda dhe Gjermania vijojnë të kenë rreth 30 për qind të punonjësve që ushtrojnë punë në distancë.

Punonjësit në përgjithësi raportuan një preferencë të fortë për punën në distancë.

Ndërsa rreth 50% e të anketuarve nga vendet fqinje të BE-së do të donin të punonin nga shtëpia të paktën disa herë në muaj, kjo përqindje arriti në 65 në mesin e të anketuarve në vendet e BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë