Njerez

Që askush të mos jetë i uritur për Krishtlindje, shqiptari në Kanada po dhuron vakte falas për personat në nevojë

Pizzeria Original Spaghetti House po dhuron qindra vakte me makarona të nxehta falas për këdo që është i uritur në ditën e Krishtlindjes.

“Është për njerëzit në nevojë, këdo që ka nevojë”, tha pronari i restorantit Ilir Sino, shqiptari që tashmë jeton në Kanada.

Sino zotëron Shtëpinë Origjinale të Spaghetti në Peterborough, Ontario e hapur prej 13 vitesh dhe Sino’s Fine Foods, një dyqan.

Sino ka vendosur tua bëjë Krishtlindjet më të bukura personave në nevojë duke dhuruar vakte.

“Nuk do të ketë nevojë të telefononi përpara për të porositur paraprakisht, thjesht paraqituni. Një tavolinë në hyrjen e përparme të restorantit do të jetë e mbushur me ushqime të nxehta dhe të gatshme”, thotë Sino.

Nëse nuk keni një automjet ose dikë që të marrë një vakt për ju, ai ka një plan.

Megjithëse shërbimi i kontraktuar që përdor Sino për dërgesë nuk funksionon më 25 dhjetor, shoferët kanë dalë vullnetarë duke u organizuar nëpërmjet faqes personale të Sinos në Facebook për të shpërndarë ushqim për njerëzit në nevojë.

Çfarë ka në menu? Makarona, shumë makarona.

Do të ketë një zgjedhje të lasagna ose rigatoni, pene ose spageti. Salcat e makaronave do të jenë bolognese, Alfredo ose vegjetariane.

Ilir Sino me punonjësin e tij.

“Kështu që njerëzit kanë opsione, për makaronat dhe salcat”, tha Sino, duke shtuar se ai do të donte që njerëzit të ngopeshin.

“Nuk ka kufi, ata mund të marrin çfarë të duan, kur të duan”.

Sino u shpërngul nga Shqipëria në Greqi në vitin 1992.

Në vitin 1999, ai ndoqi disa të afërm për t’u transferuar në Kanada. Ata filluan të punojnë në Peterborough, kështu që dhe ai zgjodhi këtë qytet për të jetuar dhe punuar.

“Ky komunitet më mirëpriti kur erdha këtu për herë të pare, atyre nuk u interesonte nëse flisja anglisht ose nga vija”, tha Sino.

“Ata më mbështetën dhe tani është koha që ne t’i kthejmë komunitetit atë që na dha”.

Ilir Sino me punonjësin e tij.

Megjithatë, Sino thotë se ideja për të dhuruar ushqime për krishtlindje ishte e gruas së tij, Mimozës.

Sino i propozoi bashkëshortes së tij që të bënin një udhëtim për Krishtlindje por ajo i tha se do ishte më mirë nëse qëndrojnë në restorant dhe u shërbejnë personave në nevojë.

Sinos i pëlqeu ideja dhe stafi i tij ishte gjithashtu dakort dhe kështu filluan me gjithë organizimin.

“Kjo është nga zemrat tona”, tha ai. “Kjo është shtëpia për ne dhe ne jemi të bekuar që jemi në këtë komunitet”.

Dëshira e Sinos është që me 24 dhe 25 dhjetor askush mos ti kalojë Krishtlindjet i uritur.

Burimi: Examiner. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë