Janë zhvilluar pjesa më e madhe e ndeshjeve të javës së 10-të në elitën gjermane të futbollit, Bundesliga. Në 6 ndeshje të luajtura pasditen e kësaj të shtune ka pasur një “lum” me gola, por edhe rezultatet befasuese nuk kanë munguar. Surpriza më e madhe ka qenë barazimi i Bajernit të Mynihut në shtëpi përballë Frajburg në shifrat 1-1. Ndërkohë kryesuesit e kampionatit, Borusia Dortmund, ka vijuar edhe këtë javë me fitoret dhe tashmë ka nisur shkëputjen. Fitore të rëndësishme kanë marrë edhe Shalke me Red Bull Lajpzig.
Në “Allianz Arena”, skuadra e Niko Kovaç ka ngecur sërish. Pas dy fitoreve në javët e fundit, u duk sikur kriza e muajit tetor u tejkalua dhe Bajern po përgatitej të merrte kryesimin e kampionatit. Por nuk ka shkuar siç duhet kjo javë e dhjetë, me Frajburg që ishte nisur drejt Bavarisë me mision për të prishur sa më shumë punë. Në fakt miqtë ia ka dalë mbanë, pasi kanë marrë një barazim me shumë vlerë, që i mban në mesin e tabelës. Pas një pjesë të parë të mbyllur në barazim pa gola, Bajern do e gjente i pari golin në minutën e 80’ me anë të Gnabry. Por nuk ka mjaftuar ky gol për të marrë tre pikët, pasi në minutën e 89’, Frajburg do të barazonte me anë të Holer.
Ky barazim ka gëzuar edhe Borusia Dortmund, e cila falë këtij rezultati dhe fitores që mori me Volsburg ka nisur shkëputjen në vendin e parë. Skuadra e Lusien Favre e kërkoi me shumë insistim këtë triumf, që u bë i lehtë pas golit në minutën e 27’ nga Marko Rojsh. Me lojë të kujdesshme dhe aksione të rrezikshme në çdo rast, Dortmund ka marrë kështu fitoren që i garanton një distancë prej 4 pikësh nga skuadra bavareze. Tashmë për skuadrën nga rajoni i Rurit, e gjitha vëmendja do të përqëndrohet në Ligën e Kampionëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.