Fatjon Rupi – Ky kampionat, të paktën deri tani, po zhvillohet nën shenjën e tyre, aq sa dueli në distancë Skënderbeu-Partizani më shumë duket si dueli Muzaka-Telushi. Janë të dy lojtarët kyç për skuadrat e tyre me golat që po shënojnë, vendimtarë në rezultate. Nëse njëra prej këtyre dy skuadrave shpallet kampione në fund, gjë që ka shumë mundësi të ndodhë, me siguri Muzaka apo Telushi do të kenë merita të padiskutueshme, që i veçojnë nga pjesa tjetër e grupit.
Për të dytën herë radhazi dhe për të disatën herë në këtë kampionat, Gjergji Muzaka ka rezultuar vendimtar për Skënderbeun. Goli i tij në ndeshjen me Kastriotin, në fitoren 1-0 në stadiumin e Korçës, ishte i katërti për mesfushorin në këtë kampionat. Muzaka i ka dhënë tri pikët skuadrës korçare, ashtu siç ka bërë me çdo gol që ka shënuar në këto 11 javë. Kryeqytetasi ka shënuar dy herë ndaj Partizanit, në fitoret 1-0 dhe 0-2, në barazimin 1-1 me Laçin dhe tani në fitoren 1-0 ndaj Kastriotit. Skënderbeu, falë tij, edhe pse nuk duhet mohuar kontributi i të tjerëve, udhëheq kampionatin me 26 pikë.
Të njëjtin pozicion ka edhe Bruno Telushi te Partizani, vlonjati që ka shënuar golin me vlerën e tri pikëve në fitoren 1-0 me Kamzën. Ashtu si Muzaka, edhe Telushi ka realizuar gola me peshë në këto 11 javë, duke e mbajtur Partizanin në pozita kryesuese. Futbollisti potent ka shënuar 4 herë për skuadrën e kuqe, ndaj Kamzës dy herë, ndaj Flamurtarit dhe Luftëtarit. Edhe vlonjati është kthyer në një faktor vendimtar për Partizanin e Gegës, që nuk i ndahet Skënderbeut. Të kuqtë në fakt kanë vuajtur, pasi Kamza luajti mirë, por edhe fati nuk ishte me Partizanin, që goditi dy herë shtyllën me Malën dhe Ibrahimin.
Skënderbeu dhe Partizani kanë nisur shkëputjen nga rivalët. Pas fitoreve të javës së 11-të, trajnerët Orges Shehi dhe Skënder Gega janë shprehur me nota pozitive për skuadrat që drejtojnë. Trajneri Shehi theksoi: “Ishte një ndeshje e bukur, ku ne kishim shumë raste, që nuk i shfrytëzuam. Luajtëm ndaj vendit të fundit dhe dukej e lehtë, por ishte një ndeshje e vështira. Lamë lojtarë pushim, për shkak të ngjeshjes së ndeshjeve. Ruajtëm energji për ndeshjet e tjera. Në këtë fazë të kampionatit janë të rëndësishme pikët. Muzaka i ka zgjidhur ndeshjet, por kanë shënuar edhe të tjerët, na pëlqen shpërndarja e golave”.
Gega kishte një ndeshje më të vështirë dhe pas fitores minimale të Partizanit ai u shpreh: “Partizani nuk është komod në shënimin e golave. Janë lojtarë të rinj dhe kanë dhënë maksimumin, por në këtë ndeshje u ndje lodhja e përballjes me Skënderbeun. Telushi ka aftësi goditëse dhe është i fuqishëm. Insistova të shkonte përpara dhe për fat shënuam. Duhej ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e pare. Çinarin mund ta lija më gjatë në fushë, por mendova me Mensah mund të kishim më shumë frymëmarrje. Në vend të Hilës aktivizova Koten, të cilin lodhja e Telushit e la të veçuar. I thashë Telushit se ndoshta është momenti të merrte karton dhe t’i jepte hapësirë një tjetri, pa e nënvlerësuar Kastriotin, por ai, si lab që është, nuk u dorëzua dhe nuk mori të verdhë. Deklarata e Duros? Nuk bëj komente. E kam në mendje sa raste humbëm në pjesën e parë”.
Po me një gol është mbyllur edhe ndeshja e Gjirokastrës, e zhvilluar pa tifozë, por aty kanë shënuar miqtë nga Laçi me Shtubinën. Kurbinasit, me Migen Memellin në stol, kanë marrë tri pikë shumë të rëndësishme ndaj Luftëtarit dhe janë ngjitur në vend të katërt, duke parakaluar Flamurtarin dhe duke barazuar Kukësin në kuotën e 19 pikëve. Java e 12-të e Superiores do të zhvillohet në mesjavë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.