Menaxhim

Braçe dërgon në Kuvend projektligjin për mbrojtjen e tokave bujqësore

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka dërguar në Kuvend një projektligj për mbrojtjen e tokës bujqësore nga zjarret.

Braçe kërkon ndalimin e djegies së kashtave, apo mbetjeve të tjera bujqësore, barërave, ferrave apo shkurreve që rrezikojnë përhapjen e zjarreve në toka bujqësore, pyje dhe kullota, gjatë periudhës 1 prill-30 nëntor të çdo viti.

Për periudhën tjetër të vitit, procesi mund të kryhet vetëm me leje nga njësitë qeverisëse vendore dhe shërbimet e mbrojtjes civile, ku detajohet vendi, ora, hapësira dhe aprovimi i pronarëve në kufi.

Kërkesa e deputetit Braçe në fakt është bërja e disa ndryshimeve në të njëjtin ligj të miratuar në vitin 2004.

Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, ndalohet ndezja e zjarreve në zona që shtrihen brenda territorit të zonave të mbrojtura, zonave turistike, pikave të kalimit kufitar apo zonave kufitare të Republikës së Shqipërisë, në distancë më të afërt se 100 metra nga akset rrugore kombëtare, në distancë më të afërt se 2.000 metra nga sipërfaqet pyjore, plantacionet me drurë të ndryshëm dhe vreshtat.

Ndalohet në distancë më të afërt se 1.000 metra nga pikat e shitjes së karburanteve apo depozitat e tyre, në distancë më të afërt se 2.000 metra nga fshati me i afërt dhe së paku 2.000 metra larg çdo banese individuale, në ditët kur era fryn me shpejtësi mbi 20 km/orë, edhe nëse janë marre lejet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, në një sipërfaqe më të madhe se 1.000 m2 brenda një dite.

“Pavarësisht parashikimeve të mësipërme, në raste përjashtimore lejohet djegia në tokat bujqësore kur shfaqet domosdoshmëria e mbajtjes nën kontroll të sëmundjeve ose faktorëve të tjerë dëmtues, bazuar në urdhrin e posaçëm të autoritetit kompetent për marrjen e masave emergjente kundër fatkeqësive natyrore. Rregulla të hollësishëm për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e zjarreve në tokat bujqësore caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, – thuhet në projektligj.

Shkelja e këtyre pikave do të përbëjë kundravajtje administrative.

Në relacion, Braçe shpjegon se synimi kryesor i kalimi të një ligji të tillë është mbrojtja e tokave dhe jetëve të njerëzve, por edhe rritja e turizmit, që pengohet nga situata të tilla.

“Në periudhën më të madhe të vitit, vendi përballet me zjarre të shumta, përveç se në pyje dhe kullota, zjarret janë mjaft problematike në tokat bujqësore, veçanërisht gjatë verës kur edhe fluksi i vizitorëve është maksimal. Zjarret ndizen shpeshherë edhe në afërsi të institucioneve të ndryshme, rrugëve dhe qendrave të banuara duke rrezikuar seriozisht jetën e gjithkujt”, -shkruhet në relacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë