Politike

“Presioni” i SHBA, Yuri Kim shpjegon pse shkoi në KLP pak para votimit: Të mos bazohet në kërcënime e favore

Gazeta Si – Pas përmbylljes së procesit të dëgjimit të prezantimit të platformave të kandidatëve për kreun e ri të SPAK, ambasadorja amerikane Yuri Kim u shpreh se ai duhet të zgjidhet në bazë të kritereve dhe jo në bazë të favoreve në mënyrë që ti detyrohet dikujt diçka.

Sipas Kim, ai që do të zgjidhet duhet të ketë parasysh faktin që pronari i vetëm i tij është ligji.

“Puna e ShBA në këtë proces është që tu mbështesë. Ju duhet ta doni reformën në drejtësi. Njerëzit duan të duan ndryshimin, pa njerëzit ndryshimi nuk vazhdon. Anekënd këtij vendi është e qartë që njerëzit duan ndryshim. Ky është një çast i rëndësishëm për anëtarët e KLP-së që kanë dëgjuar kandidatët dhe u kanë bërë pyetje të vështira. Jeni me fshimë fat pasi janë 3 kandidatë që janë shumë të kualifikuar. Por para kanë një vendim të vështirë. Baza e këtij vendimi duhet të jetë objektiv dhe një ekzaminim i kritereve dhe kualifikimeve. Nuk duhet të bazohet nga kërcënime favorizimi apo premtime për favore, pasi do të thyente integritetin e këtij procesi zgjedhje.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, shpjegoi arsyen e pranisë së saj në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, teksa kandidatët për kreun e SPAK paraqitën kandidaturat e tyre.

Ajo theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe se prioriteti i SHBA-ve mbetet që reforma në drejtësi të zbatohet plotësisht. Kim tha se prezenca e saj nuk kishte asnjë mesazh të fshehur me praninë e saj.

“E ndjeva që ka shumë teori konspirative që qarkullojnë ndaj dua të shpjegoj veten. Ky është një moment i rëndësishëm për reformën në drejtësi dhe SPAK. Erdha pikërisht të theksoj se është një moment i rëndësishëm. Erdha të them që i rëndësishëm është integriteti i procesit. Nuk jam këtu për të thënë se kë duhet të votojnë e kë jo. Nuk ka mesazh të fshehur SHBA kanë qenë të drejtpërdrejtë me shqiptarët. Unë them atë që nënkuptoj, nënkuptoj atë që them dhe përfaqësoj politikën e SHBA. Mbetet prioritet i SHBA që reforma në drejtësi të mund të zbatohet plotësisht”.

Më herët, ambasadorja shkoi në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku monitoroi mbledhjen për prezantimin e platformave të 3 kandidatëve për kreun e ri të SPAK.

Ajo u ul në një prej karrigeve në fillim të sallës, ndërsa anëtarët e KLP-së po pyesnin prokurori Edvin Kondili në lidhje me platformën e tij.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sot kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Tre kandidatët në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Kandidati që merr më shumë vota do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme për 3 vitet e ardhshme, ndërsa në rast balotazhi situata zhbllokohet nga vota e kryetarit.

Drejtuesit aktual të SPAK, Arben Kraja, i përfundon mandati në 18 dhjetor, ndërkohë që pas largimit nga kjo detyrë ai mbetet prokuror i SPAK deri në përmbushjen e mandatit 9 vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë