Njerez

‘S’mund të qëndrojmë këtu’. Emigrantët në Francë vijojnë të kalojnë Kanalin Anglez pavarësisht tragjedisë

Emigrantët në Francën veriore nuk janë zmbrapsur të kalojnë Kanalin Anglez, pavarësisht tragjedisë me varkë të vogël ku mbetën të vdekur 4 persona.

Sipas organizatave që kanë ndjekur kalimin e emigrantëve, shumë prej tyre kanë thënë se janë duke planifikuar të kalojnë kanalin në ditët në vijim, pavarësisht nga tragjedia e kësaj jave.

4 persona mbetën të vdekur dhe rreth 43 persona vazhdojnë të jenë në spital.

Suella Braverman, sekretarja e Brendshme e Britanisë, refuzoi thirrjet për të krijuar rrugë të sigurta dhe ligjore për azilkërkuesit pas tragjedisë së fundit, e cila erdhi pak më shumë se një vit pasi 27 persona mbetën të vdekur dhe pesë u zhdukën pas përmbytjes së një anije.

Një ditë pas tragjedisë, një organizatë që vepron në Francën veriore i tha “The Independent” se emigrantët dukeshin të patrembur për të bërë kalimin.

“Shumë njerëz sot na thanë se do të provojnë këtë fundjavë se moti do të jetë i mirë”, tha Amelie Moyart, një koordinatore në terren për Utopia5.

Ajo shtoi se ata nuk mund të qëndrojnë në veri të Francës jashtë në këtë të ftohtë, kështu që do të përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Një burrë nga Pakistani tha se po flinte jashtë në temperatura shumë të ulëta bashkë me familjen e tij dhe do të vazhdojë të përpiqet të kalojë Kanalin, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme të dështuara dhe rreziqeve.

Clare Mosely, e cila drejton Organizatën Care4Calais, tha se migrantët janë sëmurë javët e fundit për shkak të kohës. Në të njëjtën kohë, policia po vazhdon të shkatërrojë kampet, duke marrë çadrat dhe batanijet, pavarësisht nga temperaturat.

Por ajo nuk mendon se moti i ftohtë po i shtyn emigrantët të kalojnë Kanalin, pasi ato do e bënin gjithsesi këtë. Kjo thjeshtë po “ua bën jetën më të tmerrshme”.

Moyart thotë se ekipet nga Utopia56 punojnë në plazhet përgjatë bregdetit francez për t’u dhënë këshilla emigrantëve për udhëtimin e rrezikshëm, si dhe takohen me ata që kthehen pas përpjekjeve të dështuara.

“Ata janë të frikësuar por në të njëjtën kohë nuk kanë zgjidhje tjetër. Ata nuk mund të qëndrojnë jashtë në kamp kur është 1 gradë Celsius në Francë, kështu që duhet të përpiqen”, tha ajo.

Punonjësja shtoi se fakti që ka gjithnjë e më shumë polici në veri të Francës po i bën njerëzit të ndërmarrin gjithnjë e më shumë rreziqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë