Menaxhim

KE paralajmëron Shqipërinë: Nëse nuk tërhiqeni nga ‘Pasaportat e Arta’ mund të rikthehen vizat

Nga Gazeta ‘SI’- Komisioni Europian ka ripërsëritur për Shqipërinë, pasojat që ajo do të ketë nëse vazhdon më tej me implementimin e skemës së pasaportave të arta. KE thekson se nëse kjo miratohet, Shqipërisë mund t’i pezullohet regjimi pa viza për në BE.

Në raportin e Pestë të rekomandimeve, KE rikujton se një skemë e shtetësisë së investitorëve do të ishte në kundërshtim me rekomandimet e bëra në Raportin e Katërt e që cënon sigurinë dhe politikën publike të shteteve anëtare.

“Një skemë e nënshtetësisë së investitorit mund të përdoret për të anashkaluar procedurën e vizave me qëndrim të shkurtër të BE-së dhe vlerësimin e thellë të rreziqeve individuale të migracionit dhe të sigurisë që kjo procedurë sjell, duke përfshirë një shmangie të mundshme të masave për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë”,-shkruhet në raportin e sapo publikuar.

Një tjetër rekomandim i përsëritur nga KE për Shqipërinë, ku ka pasur përkeqësimë është ai i vizave për vendet që BE i vlerëson me rrezik për Europën dhe emigracionin e paligjshëm. Si p.sh për Bahrein, Oman, Katar, Rusi, Arabi Saudite, Tajlandë etj.

KE i kërkon Shqipërisë të vijojë me bashkëpunimin  me shtetet anëtare më të prekura nga kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë.

“Të vazhdojë forcimin e parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm, terrorizmit dhe pastrimit të parave duke: (i) rritur pjesëmarrjen e Shqipërisë në EMPACT; (ii) përparimin e mëtejshëm drejt ndërtimit të një historie solide të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin e aseteve kriminale që rezultojnë nga vepra të tilla; (iii) adresimin e të gjitha pikave të mbetura në planin e veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Të bëjë përparim të mëtejshëm në zbatimin e marrëveshjes dypalëshe në kuadër të Planit të Përbashkët të Veprimit për Kundër-Terrorizmin për Ballkanin Perëndimor” thuhet në raportin e KE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë