Ngjarje

FOTO / Tirana mes samitit të BE dhe protestës. Nis bllokimi i rrugëve dhe mbyllja e bizneseve rreth ‘Air Albania’. Shtyllat lyhen me graso te kryeministria

Gazeta Si - Një ditë para nisjes së samitit të BE që do të mbahet në Tiranë, kanë nisur të aplikohen masat e sigurisë.

Prej pasdites nis bllokimi i pjesshëm ndërkohë që policia rrugore u bën thirrje qytetarëve të përdorin akset alternative. Efektivet do te jenë në terren për orientimin e kalimtarëve.

Në një vëzhgim të Gazetasi.al pak para mesditës së kësaj të hëne, mësohet se lokalet dhe baret rreth stadiumit “Air Albania” ku do të organizohet samiti, janë mbyllur.

Punonjës të Gardës së Republikës kanë qenë të pranishëm rreth stadiumit, ku kanë ndjekur nga afër aktivizimin e masave të sigurisë në terren.

Thuajse në të njëjtin perimetër, pak metra larg stadiumit, kanë qenë të pranishëm edhe ekspertë të huaj të sigurisë, të cilët kanë dhënë asistencën e tyre për autoritetet shqiptare.

Rreth zonës ë Pallatit të Kongreseve, kanë mbërritur edhe gazetarët e parë të huaj për të raportuar mbi organizimin dhe masat e sigurisë pak orë para eventit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit po mendon edhe për mbarëvajtjen e protestës së PD të thirrur pikërisht në 6 dhjetor.

Për të garantuar zhvillimin e saj jashtë perimetrit të sigurisë, por pa cenuar samitin, shtyllat ndriçuese përgjatë Bulevardit dhe rreth kryeministrisë janë lyer me graso. Një masë paraprake për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm në radhët e protestuesve.

Ditën e nesërme, e martë 6 dhjetor 2022, Tirana do të presë për herë të parë liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit.

Më herët, policia ka publikuar hartën e kufizimeve të trafikut, duke sqaruar edhe rrugët alternative për hyrjen në Tiranë nga veriu, nga Durrësi por edhe nga Elbasani.

Rruga nga aeroporti, në Qafë Kashar e më pas drejt Tiranës, do të jetë e bllokuar deri në rreth rrotullimin e Saukut dhe rrugën e Elbasanit.

Për motive sigurie, do ketë bllokime dhe devijime trafiku në disa rrugë inteurbane dhe urbane të kryeqytetit, duke nisur nga ora 06:00 e datës 06.12.2022, e deri në oren 18:00 të datës 06.12.2022.

Rruga Rinas - Qafë Kashar dhe anasjelltas

Autostrada Tiranë- Vorë dhe anasjelltas

Unaza madhe nga ish Sheshi Shqiponja - Rrethi i Sanatoriumit dhe anasjelltas

Rr. Elbasanit nga Rrethi Sanatoriumit deri tek Ura Elbasanit dhe anasjelltas

Të gjithë rrugët që lidhin Rr. Elbasanit me Rr. Papa Gjon Pali II rr.Dervish Hima, rr. Asim Zeneli, rr. Themistokli Gërmenji, rr. Ismail Qemali, rr. Mustafa Matohiti, rr.Jul Variboba, rruga Faik Konica, Fatmir Haxhiu, Gjeneral Nikols, rruga e Atjonit, sheh Ahmet Pazar si dhe të gjitha rruget që lidhin Blv.D.Kombit me rr.Ibrahim Rugova, Ukraina e lire, Lek Dukagjini do jenë të bllokuara.

Gjithashtu, në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, për këtë arsye janë njoftuar të gjithë banorët e zonës të mos parkojnë mjetet dhe për mjetet qe nuk janë larguar do të bëhet spostimi me mjete ngritës nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë