Futboll

10 trajnerë pa punë. Cili mund ta marrë Realin e Madridit?

Real Madrid që prej fillimit të kësaj jave ka shkarkuar trajnerin e tij Julen Lopetegui dhe në krye të ekipit është vënë përkohësisht, Santiago Solari. Por argjentinasi nuk besohet që të jetë për një afat të gjatë në stolin “Los Blancos”. Në mediet spanjolle në ditët e fundit kanë qarkulluar emrat e disa trajnerëve që mund të marrin drejtimin e ekipit “galaktik”. Antonio Konte, Martinez, Poketino dhe shumë të tjerë janë lakuar nga mediat sportive në të gjithë botën, por deri më tani nuk kemi një vendim nga presidenti Florentino Perez.

Më poshtë ju paraqesim listën e trajnerëve që për momentin nuk kanë një ekip për të stërvitur. Disa prej tyre kanë pak shanse të ulen në stolin e Real Madrid, ose disa të tjerë mund të jenë në prag të pensionit, por janë emrat qo duken më afër stolit madrilen.

1. Guti

I pari trajner që është pa kontratë për momentin vjen nga familja e Real Madrid. Quhet Guti, për disa vite drejtoi ekipet e moshave të Real Madrid dhe nga të gjithë shikohet si një trajner i së ardhmes në futbollin spanjoll.

2. Mishel

Një lojtar që pothuaj të gjithë karrierën e tij e kaloi te Real Madrid, Míchel mund të rikthehet te “los blancos”, por këtë herë në rolin e menaxherit. Pasi ka tre drejtuar disa ekipe në La Liga, besohet se ka marrë eksperiencën e duhur dhe duke qenë se është pa kontratë, shikohet si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e klubit madrilen.

3. Majkëlll Laudrup

Pjesë e brezit të artë të Danimarkës, që fitoi kampionatin europian, Majkëll Laudrup nuk ka shkëlqyer dhe aq shumë si trajnerë. Përveç disa ekipeve të profilit të dytë ose të tretë dhe një eksperience negative në Premier League, Laudrup për momentin është pa punë dhe shikohet si një emër të cilin Perez mund ta përzgjedhë për ta drejtuar skuadrën.

4. Arsen Venger

Pas një jete të tërë në drejtimin e Arsenal, Arsen Venger zgjodhi të largohej nga “topçinjtë”. Shumë thonë se u largua për të dalë në pension, por duke njohur vullnetin dhe pasionin e tij për futbollin një gjë e tillë është shumë e vështirë për t’u besuar. Venger kishte pasur edhe më herët mundësinë për të drejtuar Real Madrid, por ndoshta mundësia e duhur është tani.

5. Klaudio Ranieri

Italiani që ishte quajtur dështak kudo që kishte shkuar, e bëri arritjen historike, duke marrë titullin në Premier League me modestët e Leicester. Për momentin Ranieri është pa një kontratë dhe do të ishte shumë i gatshëm për të marrë drejtimin e Real Madrid edhe pse shumë thonë që ka dalë në pension.

6. Kike Flores

53-vjeçari ka qenë edhe më herët pranë stolit të Real Madrid, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dot. Tani është pa kontratë dhe duket sikur ka ardhur koha e duhur që të ulet në bankinën e “Los Blancos”.

7. Antonio Konte

Deri para disa javësh ishte njeriu që kishte më shumë shanse për të marrë drejtimin e Real Madrid. Pas largimit nga Chelsea, Antonio Konte ende nuk e ka gjetur një ekip të ri edhe pse është përfolur për të marrë drejtimin e shumë skuadrave.

8. Laurent Blank

Francezi që pas largimit nga PSG para dy vitesh ka mbetur pa një kontratë. Me shumë pak ekipe të drejtuara, por në nivele të larta, Blank shikohet si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e “Los Blancos”.

9. Andre Vijash Boash

Dikur u quajt si pasardhësi i Murinjos, apo “special two”. Por karriera e Vijash Boash nuk shkoi dot ashtu siç duhet dhe tashmë portugezi pas disa aventurave në Rusi dhe Kinë ka mbetur pa punë. Ai shikohet si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Real Madrid, nëse Perez do të kërkonte një piste disi më ekonomike.

10. Leonardo Zhardim

Portugezi ka mbetur pa punë pas largimit nga Monako, të cilën e drejtoi për plot katër vite. Me sukseset e mëdha që arriti në krye të klubit nga Principata, Zhardim konsiderohet si një nga emrat më potencial për të marrë drejtimin e ekipit “Los Blancos”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë