Futboll

Fusha asnjanëse dhe pa tifozë, shansi i udhëtuesve në javën 11

Fatjon Rupi – Vetëm Skënderbeu-Kastrioti do të jetë një ndeshje normale në javën e 11-të të Superiores, që është ndarë në dy ditë, të premten dhe të shtunën. Një ndeshje normale, sepse do të luhet në kushte normale, në qytetin e Korçës dhe me tifozë. Katër ndeshjet e tjera do të luhen në fusha asnjanëse apo edhe pa praninë e tifozëve, kështu që ka një favorizim në letër për skuadrat udhëtuese.

Skuadrave që nuk luajnë në fushën e tyre, për shkak të punimeve në stadiumet përkatëse, u është shtuar tashmë edhe Teuta, që Tiranën do ta presë në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut. Më e vështirë për durrsakët, edhe pse tifozët e Teutës nuk është se bëjnë “namin” në stadiumin “Niko Dovana”, dhe më e lehtë për bardheblutë. Trajneri Ardian Mema ka një shans të mirë të marrë fitoren e parë në krye të Tiranës, pasi në dy ndeshjet e para nuk ia ka dalë. E ka të domosdoshme për ecurinë e mëtejshme në kampionat, sepse humbja dhe barazimi do ta rrisnin shumë presionin te berdheblutë, që mbeten pranë zonës së rënies nga kategoria.

Nga ndeshja Tirana-Teuta e fazës së parë

Një shans edhe për Flamurtarin, që me Kukësin do të ndeshet në stadiumin e Kamzës, ku veriorët janë spostuar së fundi, pasi kanë provuar më parë stadiumet e Shkodrës dhe Elbasanit. Por humori i vlonjatëve është prishur nga dënimi i mesfushorit Idriz Batha me një ndeshje pezullim. Një dënim i dhënë me provë televizive dhe i kontestuar fort nga Flamurtari. Trajneri Ilir Daja ka ironizuar në konferencë shtypi për këtë çështje, duke u shprehur se duhet pritur nisja e ndeshjes për të parë sa lojtarë do të ketë të gatshëm. Kukësi po kalon një formë të mirë dhe nëse kalon me sukses edhe Flamurtarin, atëherë konfirmohet plotësisht si kandidat shumë serioz për t’i marrë kurorën Skënderbeut. Edhe në kampin kuksian situata nuk është e qetë, pasi Arbër Çyrbja, një nga blerjet më të rëndësishme të merkatos së verës, është dënuar të stërvitet me ekipin e dytë.

Stadiumi i Kamzës, ku do të ndeshen Kukësi dhe Flamurtari

Stadiume “memece” do të jenë këtë javë “Selman Stërmasi” dhe “Gjirokastra”. Partizani pret Kamzën, por është dënuar me dy ndeshje pa tifozë, pas ngjarjeve të ndeshjes me Skënderbeun, të parullës antigreke dhe hedhjes së sendeve në fushë nga tifozët e kuq. Atmosfera në skuadrën e Gegës u prish që para ndeshjes me korçarët, nga çështja “Trashi”, ndërsa humbja e ka zbritur atë në vend të dytë. Tani Partizani ka edhe një konflikt të hapur me FSHF-në për dënimin e fundit, por edhe me tifozët e tij, që nuk kanë qenë dakord me qëndrimin e klubit. Të kuqve do t’u duhet të tregojnë karakter për të kaluar këtë moment delikat dhe sigurisht që Kamza nuk do të jetë dakord, sepse një humbje e mundshme do të sillte largimin e trajnerit Klodian Duro.

Nga ndeshja Kamza-Partizani e fazës së parë

Pa tifozë luan edhe Luftëtari, i dënuar nga Disiplina, por të paktën ka ndihmën e “mureve të shtëpisë”, pasi luan në Gjirokastër. Ka entuziazëm në kampin gjirokastrit, pasi ekipi la fundin e tabelës pas fitores në transfertë me Kastriotin. Luftëtari është më i plotë dhe ndaj Laçit synon fitoren e dytë radhazi për të konsoliduar pozitat. Laçi ka humbur terren në dy javët e fundit, pas humbjeve me Kukësin dhe Teutën. Ka humbur gjithashtu edhe trajnerin Artan Mërgjyshi, pavarësisht se me të në krye ka arritur rezultate të mira. Në Gjirokastër skuadra do të drejtohet nga ndihmësi i Mërgjyshit, Migen Memelli, i cili do të jetë trajner i përkohshëm te kurbinasit.

Ka pak për të thënë për ndeshjen Skënderbeu-Kastrioti, ku skuadra korçare është favorite absolute ndaj krutanëve, që mbajnë vendin e fundit. Edhe barazimi do të ishte befasi në këtë ndeshje.

Java 11,e premte

Kukësi-Flamurtari (në Kamzë)

Teuta-Tirana (në Shijak)

E shtunë

Luftëtari-Laçi

Skënderbeu-Kastrioti

Partizani-Kamza        


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë