Ekonomi

Debate në komisionin e Ekonomisë / PD kërkon shtyrjen e miratimit të projektit të Portit të Durrësit: Të vijnë ministrat që kanë firmosur

Nga Gazeta ‘SI’ Diskutimi i projektit të Portit të Durrësit në komisionin e Ekonomisë ka nisur me debat dhe fyerje midis deputetëve.

Deputetët e Partisë Demokratike, Edmond Spaho, Dashamir Shehi dhe Jorida Tabaku, kërkuan që në mbrojtje të projektit në komision të jenë vetë ministret që kanë firmosur, ajo e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ajo e Financave, Delina Ibrahimi pasi është një projekt me implikime të mëdha financiare.

Spaho e cilësoi këtë projekt si “vjedhjen e shekullit”.

“Kërkesa për të thirrur ministra është normale, ne duam personat politik që kanë negociuar dhe firmosur këtë marrëveshje. Nuk e kemi diskutuar në Konferencë Kryetarësh, duam të marrim sa më shumë informacion, nuk mund ta marrim nga personat që ka sjellë Kryeministri”, -tha Tabaku.

Deputeti Shehi tha se firmosja duhet shtyrë sepse si mund të firmoset për 10 ditë një biznes që do të shtyhet në 10 vite.

“A nuk do të ishte më logjike që ta shtyjmë këtë punë pas Buxhetit, pse kjo ngutje, ne po firmosur biznesin më të madh shqiptar siç e thoni ju, pse vjen mbrapa, dje erdhi kontrata, kontrata është 99 faqe, ka ndonjë që e lexon nga ne dhe e shpjegon, pa u konsultuar me një jurist, ku qëndron dhe jo, ku jemi ne këtu, ça po ndodh, jemi luftë? Po bëhet biznes që do vazhdojë 10 vjet, ju doni të mbyllni për 10 ditë, kjo ngutje më shqetëson mua, se gjërat e ndershme s’bëhen kështu” tha ai.

Deputeti socialist, Erion Braçe kundërshtoi qëndrimet e demokratëve, duke thënë se marrëveshja e portit nuk ka asgjë për të fshehur.

“Sa kohë që këtu kanë ardhur ligj marrëveshje për Marinën, marrëveshje zhvillimi, plan financiar i fizibilitetit, marrëveshje kuadër për jahtet, plan biznesi, masterplan e të tjerë me radhë dhe kjo do të thotë se nuk ka asgjë për të fshehur”, -tha Braçe ndërkohë që kanë vazhduar debatet dhe me gjuhë  fyese pa mikrofon midis tij dhe deputetit Spaho.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë