Gazeta Si – Presidenca e Komisionit të Përgjithshëm për Peshkim të Vendeve të Mesdheut (GFCM ) do të mbahet nga Shqipëria. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, në fjalën e mbajtur në emër të qeverisë shqiptare, deklaroi: “Jemi shumë krenarë që kryetari i GFCM është shqiptar dhe Shqipëria është krenare që pret këtë sesion historik të GFCM në Tiranë, duke festuar sot 70 vjet nga krijimi i Marrëveshjes GFCM”.
Duke u ndalur në situatën e inflacionit të rritur, që ndikoi në sektorin e peshkimit dhe rriti kostot e prodhimit, ministrja tha: “Në peshkim karburanti përbën pothuajse 80% të kostove të prodhimit. Për këtë arsye, qeveria shqiptare vendosi të zbatojë një masë shtesë mbështetëse për sektorin, në formën e subvencionimit të drejtpërdrejtë për flotën detare”.

Më pas ministrja u shpreh: “Peshkimi është një nga sektorët më vitalë të ekonomisë shqiptare, me një rritje të qëndrueshme që nga viti 2014. Produktet tona të peshkimit zënë një vend të rëndësishëm në tregjet e huaja. Ky sektor performon në përputhje me standardet e vendosura nga Bashkimi Europian, duke u kthyer në një sektor modern dhe fitimprurës”.
Krifca vuri në dukje se po punohet për përmirësimin e infrastrukturës së porteve, me mbështetjen e projektit ‘Blu Economy’, me qëllim rritjen e kapaciteteve të Portit të Durrësit për ndërtimin e tregjeve të peshkimit në Durrës dhe Sarandë dhe 7 vende zbarkimi në mbështetje të peshkimit në shkallë të vogël përgjatë vijës bregdetare dhe në liqenet kryesore.
“Tashmë kemi nisur bashkëpunimin me partnerët tanë europianë për të ndërtuar vendet e zbarkimit, prodhimit dhe ankorimit përgjatë vijës bregdetare, që do të shërbejnë si mbështetje për peshkimin në shkallë të vogël, në mënyrë që të vazhdojmë të formalizojmë sektorin dhe të rrisim standardet e sigurisë ushqimore”, – tha ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



