Menaxhim

FMN: Vendet në zhvillim duhet të rrisin investimet private për qëllimet klimatike dhe jo tek borxhet ndaj shteteve të tjera

Ndihmat dhe financimet nga qeveritë e vendeve të zhvilluara nuk do të mjaftojnë për të financuar ndryshimet klimatike në vendet në zhvillim, sipas kreut të FMN-së, Kristalina Georgieva.

Vendet në zhvillim kanë nevojë për investime private për të arritur qëllimet klimatike.

“Nuk do ta mbyllim kurrë hendekun nëse varemi nga bujaria e shteteve të pasura. Është shumë  e madhe për t’u mbyllur me para publike”, -tha Gergieva në CNBC në samitin e klimës në Sharm el-Sheikh, COP27.

Përpara samitit, Kombet e Bashkuara bënë thirrje për “rritje të financimit dhe zbatimit të veprimeve” për të ndihmuar vendet e cenueshme të përshtaten me emergjencën klimatike.

“Ndryshimi i klimës është një goditje pas goditjeje mbi njerëzimin, siç e pamë gjatë gjithë vitit 2022”, tha Drejtoresha Ekzekutive e Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, Inger Andersen, duke përmendur përmbytjet shkatërruese në Pakistan.

Vendet më të cënueshme dhe në zhvillim do të kenë nevojë për 160 miliardë deri në 340 miliardë dollarë deri në fund të dekadës për të bërë ndryshime të lidhura me klimën dhe deri në 565 miliardë dollarë deri në vitin 2050, thuhet në raportin e OKB-së.

Ndihma publike dhe financimi vetëm nga qeveritë e vendeve të zhvilluara nuk do të mjaftonin për të mbyllur boshllëkun e financimit për nismat e ndryshimeve klimatike në vendet në zhvillim.

“Nevojat për përshtatje në botën në zhvillim janë vendosur të rriten deri në 340 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030. Megjithatë, mbështetja e tranzicionit sot është më pak se 1/10 e asaj shume. Njerëzit dhe komunitetet më vulnerabël po paguajnë çmimin. Kjo është e papranueshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

Pse shtetet e zhvilluara duhet të luftojnë ndryshimet klimatike?

Është në interesin e ekonomive të përparuara të ndihmojnë vendet në zhvillim të përmbushin objektivat e tyre të ndryshimit të klimës, tha Georgieva, duke përmendur stabilitetin si një arsye kryesore.

“Nëse duam të lejojmë goditjet klimatike, herë pas here, të shkatërrojnë vendet e varfra, ne kontribuojmë në paqëndrueshmërinë që Europa e ndjen fort, veçanërisht kur flukset e emigracionit rriten,” – tha ajo.

Stabiliteti në vendet në zhvillim siguron gjithashtu tregtinë midis vendeve të përparuara dhe atyre në zhvillim, tha Georgieva. “Nëse doni që ekonomitë tuaja të eksportojnë në këto vende, duhet të ketë prosperitet dhe stabilitet atje”.

Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit të shkaktuara nga ngjarjet e ndryshimeve klimatike mund të përbëjnë një rrezik më të madh se ai i paraqitur nga pandemia, shtoi ajo.

Gjithashtu duhet të ketë një shtytje më të madhe për t’i bërë qeveritë që t’i taksojnë dhe rregullojnë më ashpët bizneset në vendet e përparuara të përgjegjshme për reduktimin e emetimeve.

“Duhet të pranojmë se jemi shumë prapa aty ku duhet të jemi për të mbrojtur mirëqenien e fëmijëve tanë. Nga 2020 deri në 2030 – ne duhet të reduktojmë emetimet me diku midis 25% dhe 50% dhe emetimet janë ende në rritje,” shtoi Georgieva./CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë