Njerez

Pensionistja durrsake që gatuan pastat më të mira italiane

Nga Gazeta Si – Në një nga rrugicat që të nxjerrin në qendrën e qytetit të Durrësit, mu pranë godinës së bashkisë, në një kthinë të vogël, një e moshuar me pak kurriz të dalë, nxiton të shërbejë pjatat e makaronave në 4-5 tavolinat që ka para objektit të saj, tavolina që mbushen dhe zbrazen sa hap e mbyll sytë.

Atë e njohin të gjithë si Luli dhe ka hyrë në vitin e shtatë punës së saj në Durrës si kuzhiniere e pastave italiane me makaronat që i bën vetë.

“Unë kam punuar 24 vjet në kuzhinë në Itali dhe sapo dola në pension mendova ta hap këtë mini restorant, bashkë me djalin e vogël. Nuk u mendova gjatë por bëra atë që dija, punën me të cilën isha marrë në Itali, të gatuaja pasta dhe receta me bazë makaronash si lazanja, kanelone. Jam e kënaqur sepse kam krijuar klientelën time në kaq vite”, tregon për Gazetasi.al Luljeta që po i afrohet të 70-tave.

Por si është një ditë pune e kuzhinieres pensioniste?

“Puna ime nis në orën 05:00 të mëngjesit. Për 6 orë, deri në orën 11.00 të paradites unë gatuaj pastat. I bëj të llojeve të ndryshme, linguine, spageti, petë për lazanjat, sipas recetave që përdor. Pastat e mia janë sipas kuzhinës italiane ku baza është raguja me pancetë, porcini. Përpiqem që brumin e pastave ta bëj me miell të mirë prej gruri të fortë, gjithashtu për beshamelin nuk përdor panën e kuzhinës që tregtohet në market por e bëj vetë”, shprehet kuzhinierja.

Me të birin, me të cilin punon çdo ditë

“Dua që pastat e mia t’i shijojnë të gjithë dhe të marr komplimente nga klientët. Më të preferuarat janë karbonara, alla boscaiola por unë ndjek dhe dëshirat e tyre pasi ingredientët i kam të gjitha”, thotë Luli.

Bashkë me të birin, Luli shërben dhe në tavolina pasi e ka gatuar pjatën e klientit dhe dita mbyllet në orën 17.00.

“Deri në orën 21:00 unë qëndroj në kuzhinë të cilën e pastroj bashkë me enët dhe e lë gati për ditën tjetër. Në darkë shkoj bëj një dush dhe fle. Kjo është dita ime. Në shtëpi kam bashkëshortin pensionist. Jam e kënaqur që i shtoj shtëpisë një pagë më shumë se pensioni që marr, 10 mijë lekë. S’më mjaftojnë as për ilaçet sepse ka nisur të më dhembë shpina nga lodhja e ditës. Por jam e detyruar të punoj, sa të kem fuqi nuk do të ndalem”, thotë Luli nga Durrësi.

Gjatë një momenti të shkurtër pushimi

Teksa e pyet nëse ka menduar ta zgjerojë aktivitetin, duke shtuar tavolina e duke zgjeruar ambientin, Luli thotë se asnjë investim nuk ia vlen më në situatën e sotme, ku çmimet po rriten dita-ditës.

Me klientë, turistë italianë në Durrës

“Po na marrin frymën pagesat që bëjmë, taksat, shto dhe çmimet që po rriten. Nuk dua të zgjeroj punën sepse punoj aq sa kam unë fuqi. Edhe sikur të dua ta shtoj, s’kam punëtorë. Sot është krizë për krahë pune. Brezi i ri nuk ia ka haberin punës, duan pagesa pa u lodhur”, thotë e moshuara.

Luli tregon se ka tentuar të punësojë në kuzhinë vajza e gra të reja që ta ndihmojnë por ka mbetur e zhgënjyer.

“As unë nuk kam ditur të gatuaj por mësova në Itali. Unë mendoj se brezi i ri duhet të punojë në emigrim, të njohë çfarë është puna, të marrë edukatën e punës, e pastaj të kthehen këtu. Sepse sot nuk kanë asnjë ide si punohet, kërkojnë të marrin para pa u lodhur”, thotë kuzhinierja e vetëpunësuar, e cila u buzëqesh të gjithë dashamirësve të pastave, të cilët te kuzhina e Lulit kanë gjetur një copë Italie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë