Njerez

40% e fëmijëve në varfëri absolute, 1 në 2 fëmijë viktima të dhunës fizike… Raporti i CRCA vë në alarm Gjenevën, thërret Shqipërinë në seancë dëgjimore

Nga Gazeta Si – Prej pak ditësh, Komiteti për të drejtat e fëmijëve i OKB, me seli në Gjenevë, ka publikuar raportin alternativ të Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, në të cilën jepet një panoramë e plotë e situatës së fëmijëve dhe respektimit të të drejtave të tyre.

Sipas këtij raporti, rreth 40% e fëmijëve jetojnë në varfëri absolute, nën minimumin jetik 5 dollarë në ditë.

“Me të paktën 40 për qind të popullsisë që jeton në varfëri, mungesa e  programeve kombëtare për të zbutur varfërinë dhe për të mbështetur shërbimet sociale, ka goditur veçanërisht rëndë fëmijët dhe të rinjtë.

Varfëria e fëmijëve dhe të rinjve përforcohet nga papunësia e lartë, mungesa e mundësive dhe migrimi”, thuhet ndër të tjera në raport.

Ekspertët e raportit alternativ theksojnë ndër të tjera mungesën e programeve të qeverisë për të mbështetur të varfërit, veçanërisht pas tërmetit të madh të nëntorit 2019 dhe më pas Covid 19.

Në raport thuhet ndër të tjera se “dhuna ndaj fëmijëve është e përhapur edhe pse legjislacioni dhe politikat ndalojnë ndëshkimin trupor”.

“Të paktën 1 në 2 fëmijë raportojnë dhunë fizike në shtëpi ose në shkollë nga mësuesit, ndërsa pothuajse 20% e adoleshentëve në shkollat publike ankohen se  janë ngacmuar ose diskriminuar për shkak të orientimit të tyre seksual dhe  identitetit gjinor.

Raportet e abuzimit seksual të fëmijëve u rritën në mënyrë eksponenciale veçanërisht pas bllokimeve të Covid.

Studimet tregojnë se të paktën 1 në 10 fëmijë është viktimë e dhunës seksuale online dhe offline”, thekson raporti alternativ për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

Po ashtu, raporti alternativ i CRCA konstaton se 64 përqind e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk ndjekin rregullisht arsimin e detyrueshëm për shkak të mungesës  së aksesit fizik në shkolla ose disponueshmërisë së mësuesve.

Gjithashtu, afro 30% e fëmijëve romë në të gjithë Shqipërinë nuk ndjekin shkollën  për shkak të varfërisë familjare, mungesës së mbështetjes nga qeveria dhe  diskriminimit të hapur në shkolla.

“Një program i UNICEF-it që synonte të mbështeste integrimin e fëmijëve romë në kopshte, pas integrimit të suksesshëm të rreth 1000 fëmijëve romë në kopshte  dhe shkolla u mbyll pa  donjë arsye të dukshme. Pothuajse të gjithë fëmijët që përfituan nga programi, iu kthyen lypjes”, konstaton raporti.

Rekomandimet e paplotësuara

Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj, në një prononcim për Gazetasi.al thotë se raporti alternativ u dorëzua në Gjenevë në muajin korrik të këtij viti, ndërsa në muajin shtator u zhvillua seancë dëgjimore me përfaqësuesit e shoqërisë civile, hartuese të këtij dokumenti.

“Shqipëria vijon të mos plotësojë pjesën më të madhe të rekomandimeve të lëna nga organizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Komiteti për Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve e OKB me seli në Gjenevë i ka dërguar qeverisë shqiptare këto ditë një listë cështjesh të cilat ajo duhet t’u përgjigjet brenda një harku kohor prej një muaji. Më pas, në mars të 2023, në një seancë maratonë pyetjesh prej 6 orësh, përfaqësuesit e qeverisë shqiptare do të duhet të përgjigjen mbi situatën e fëmijëve dhe të drejtat e tyre”, thotë Hazizaj.

Sipas tij, ndër të tjera, buxheti i arsimit ka ardhur duke u ulur nga viti në vit. Qeveria ja ka faturuar familjeve kostot e arsimit në vend që të mbajë barrëm e saj.

“Lënia e fëmijëve pa asnjë mbështetje gjatë pandemisë, pa internet falas e pajisje, përjashtoi 20% të fëmijëve nga aksesi i shkollës online”, thotë drejtori i CRCA, Altin Hazizaj.

Në lidhje me shërbimet sociale, Hazizaj thotë se ka arritje në drejtim të krijimit të një sektori për mbrojtjen e fëmijëve por profesionistët nuk kanë buxhet dhe as mjet financiar në dispozion për të ofruar shërbime për fëmijët.

Ofrimi i shërbimeve shoqërore për fëmijët nën nevojë është në nivelin zero, sidomos për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje psikosociale, që janë viktima të dhunës në shkollë e familje.

“Asnjë bashki nuk ka buxhet për financimin për mbrojtjen e fëmijëve. Sikur të mos ishin shërbimet falas që ofrohen nga organizatat, ndihma ligjore falas, psikolog, fëmijët në Shqipëri nuk do të merrnin asnjë shërbim psiko-social”, thotë Hazizaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë