Pas dy stadiumeve në Shkodër dhe Elbasan dhe atij që po ndërtohet në kryeqytet, impianti i ardhshëm modern në vendin tonë do të jetë në Kukës. Prej disa muajsh projekti është gati dhe pritet vetëm lëvrimi i fondit dhe fillimi i punimeve. Stadiumi do të jetë një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubit të Kukësit. Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë një takimi në qytetin e Kukësit ditën e martë ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë tifozët, se stadiumi pritet të fillojë shumë shpejt dhe se në sezonin e ardhshëm kjo skuadër do i luaj ndeshjet e saj në një impiant të ri dhe modern.
“Për ekipin e Kukësit ne kemi marrë një angazhim dhe unë dua t’ju them paraprakisht juve që jeni këtu, që nesër në qeveri do të vendosim edhe financimin për stadiumin e ri. Do bëjmë një bashkëpunim me FSHF-në, kemi rënë dakord, ashtu si kemi bërë për stadiumin e Shkodrës dhe për stadiumin e Elbasanit. Do vendosim nga ana jonë kontributin financiar. Federata do të bëjë të vetën dhe shpresa është që ne në bashkëpunim me klubin të fillojmë sa më shpejt punën dhe sezonin e ardhshëm. Nëse gjenden punëtorët e duhur dhe nëse do ketë aq shumë pasion nga tifozët që punojnë me tre turne, sezonin e ardhshëm, Kukësi ta fillojë në stadiumin e vet. Një stadium, modern me të gjitha standardet e nevojshme për të luajtur edhe ndeshjet ndërkombëtare, që të mos shkoni në Elbasan.”- deklaroi kryeministri Rama gjatë takimit më te rinjtë një Kukës.
Por nëse kreu i qeverisë nuk jep data dhe afate fikse për fillimin e punimeve, presidenti i Kukësit, Safet Gjici është shumë konkret. Numri një i klubit verilindor shprehet se brenda muajit të ardhshëm do të fillojnë punimet për stadiumin e ri të Kukësit. Në një prononcimin për Gazeta Si, Gjici falënderoi qeverinë dhe FSHF për bashkëpunimin dhe tha se shpreson që ndeshjet në Kupat e Europës, Kukësi t’i luaj në stadiumin e ri.
“Unë dua ta falënderoj shumë kryeministrin Rama dhe Federatën e Futbollit për bashkëpunimin që jemi duke bërë për t’i dhënë edhe Kukësit një stadium modern, siç ato që ne tashmë i kemi në Elbasan dhe Shkodër. Për mua ky investim është si një shpërblim për punën e madhe që është bërë për futbollin kuksian në këto vite të fundit. Çdo gjë është gati dhe unë kam besim të plotë se brenda muajit të ardhshëm do të fillojnë punimet në terren. Me shpresën që të kemi në favorin tonë edhe kushtet atmosferikë, besoj se brenda 7 ose 8 muajve, stadiumi do të jetë gati. Në dëshirojmë që ndeshjet e ardhshme në Kupat e Europës dhe ato të sezonit të ri t’i zhvillojmë në stadiumin tonë.”- tha Safet Gjici.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.