Fatjon Rupi - Shkon në 5 numri i skuadrave të Superiores që kanë ndryshuar trajner pas 10 javëve të para të kampionatit, pak më shumë se çereku i garës. Lëvizja të shpejta dhe të shpeshta, pasi bëhet fjalë për gjysmën e skuadrave të kampionatit. Largimi më i fundit është ai i Artan Mërgjyshit, i cili ka mbyllur aventurën me Laçin, edhe pse ecuria e tij në krye të kësaj skuadre është vërtet e mirë. Kurbinasit mbajnë vendin e 4-t në tabelën e renditjes me 16 pikë, janë më mirë se disa kundërshtarë që kanë investuar më shumë, por ndryshimi në stol është bërë gjithsesi.
Laçi ka pësuar dy humbje në dy ndeshjet e fundit, me Kukësin dhe Teutën. Kjo mund të jetë arsyeja pse trajneri Artan Mërgjyshi nuk është më trajner i Laçit, ndërsa ai vetë ka thënë se është larguar për arsye personale. Nga drejtuesit e klubit nuk ka pasur asnjë deklaratë dhe mbetet të shihet, nëse është një shkarkim, apo një largim nga ana e vetë trajnerit. Mërgjyshi e mori drejtimin e Laçit para nisjes së kampionatit, duke zënë vendin e Besnik Prengës, i cili e drejtoi këtë skuadër në Europa League. Presidenti i kurbinasve, Pashk Laska, pritet të vendosë për trajnerin e ri, që duhet të zgjidhet sa më shpejt, pasi në prag është ndeshja në transfertë me Luftëtarin. I përhershmi Stavri Nica është emëruar vetëm një javë më parë në krye të Kastriotit, kështu që bie poshtë si alternativë.
Ndryshime në stol në këto 10 javë të kampionatit kanë bërë Kamza, Kastrioti, Luftëtari, Tirana dhe Laçi. Trajnerët e larguar janë Bledar Devolli, Elvis Plori, Millosh Kostiç, Ze Maria dhe tani Artan Mërgjyshi. Në detyrë vazhdojnë të jenë Orges Shehi i Skënderbeut, Skënder Gega i Partizanit, Ilir Daja i Flamurtarit, Bledi Shkëmbi i Teutës dhe Armando Cungu i Kukësit. Më i rrezikuar për momentin është Klodian Duro i Kamzës dhe vendimtare për të do të jetë ndeshja e radhës me Partizanin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.