Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për “veprime arbitrare” dhe “mosdhënie ndihme” për vdekjen e Lear Kurtit, i cili humbi jetën në duart e disa punonjësve të policisë pas një kontrolli rutinor të mërkurën e shkuar.
Ndërkohë, nga akti i ekspertimit kimik, është konfirmuar se në mbetjet e qeses së gjetur në stomakun e viktimës, ka prani të lëndës narkotike kokainë.
Përmes një njoftimi për shtyp, prokuroria informon se deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e Lear Kurtit, procesverbali i këqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit.
Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.
Sipas organit të akuzës dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.
Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës, pasi u shoqërua nga forcat e komisariatit nr.3 në Tiranë për verifikim.
Rreth orës 23.00, i ndjeri ka enë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e policisë i ka kërkuar të ndalonte por 32-vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap.
Pas një arratie rreth 400 metrash, i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Polica qëndroi disa minuta në rrugë derisa mbërriti automjeti që e përcolli në komisariat.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, 32-vjeçari ka gëlltitur qesen me kokainë, teksa edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore konstatoi në stomakun e të riut qesen plastike në madhësinë 5X5, që ishte e çarë.
Gjatë shoqërimit, Kurti ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës. Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej, ai u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.