Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë tremujorit të tretë të vitit, kërkesa për kredi vazhdoi të rritej, por miratimi i tyre jo. Bankat e nivelit të dytë shtrënguan standardet dhe kriteret e kreditimit si për bizneset ashtu edhe për individët, duke u reflektuar dhe në një numër të reduktuar të kredimarrjes. Kjo qasje e bankave, vjen pas dobësimit të kërkesës së brendshme dhe pasigurive të shtuara në ekonomi, duke vënë në piëkpytje aftësinë paguese të kredimarrësve dhe pritshmëritë për tregun e banesave. Për individët, është hera e parë në dy vite që bankat shtrëngojnë procesin e kreditimit.
Gjithsesi, raporti i Bankës së Shqipërisë për periudhën korrik-shtator, thekson se kërkesa për kredi nga bizneset vazhdoi të rritej për shkak të kostove të shtuara, si pasojë e presioneve inflacioniste, por edhe për shkak të kërkesës për financim të reja për të realizuar investime në burime të energjisë së rinovueshme.
Bankat presin që kërkesa e tyre për kredi investimi të bie deri në fund të vitit dhe të orientohet vetëm nga biznesi i madh.
Individët shfaqën një kërkesë më të ulët për kredi ndikuar nga normat e rritura të interesit. Politikë që parashikohet të vijojë dhe kërkesa për kredi të ulet përsëri.
Klodion Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në BSH, tha më herët për Gazetasi.al se për shkak të kushteve ekonomike, norma e interesit mund të vazhdojë të rritet deri në 7% për të dhënë efektet e pritshme në kreditim, pasi nuk e ka frenuar atë. Por koha se kur mund të ndodhë kjo është e vështirë për t’u parashikuar edhe nga vetë BSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



