Biznes

Çfarë i propozuan bizneset qeverisë? Nga agroindustria tek sektori i ndërtimit, 14 kërkesa

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i Dhomës së Industrisë, Nikolin Jaka, shoqëruar nga drejtues të tjerë të shoqatave të biznesit, i drejtuan qeverisë 13 kërkesa lidhur me ndryshimet fiskale të 2023-shit, me synim reduktimin e kësaj barre për industritë e prodhuesit.

Industritë dhe prodhuesit

Prezantuar nga Jaka, “paketa fiskale” e bizneseve kërkon, përjashtimin nga TVSH-ja të makinerive që përdoren në industri apo prodhimin e energjisë elektrike nga dielli dhe era. Të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-s në doganë për importin e lëndëve të para për industritë. Të rimbursohet TVSH-ja e prapambetur për bizneset. Drejtuesit e shoqatave kërkuan përjashtimin nga tatim fitimi i kompanive që investojnë në energjitë e rinovueshme dhe të hiqet taksa e pasurisë për prodhuesit. Të gjitha këto do të sillnin kosto të reduktuara për bizneset, ulje të çmimeve finale dhe rritje të produktivitetit e konkurrencës.
Ata kërkua dhe krijimin e një fondi garancie për kreditimin e industrive prodhuese nga bankat e nivelit të dytë.

“Nëpërmjet këtij fondi i ngritur me kontributin e qeverisë dhe donatoreve do të lehtësohet aksesi për kredi për bizneset që operojnë në sektorin e industrive prodhuese, agroindustrisë etj.

Fondi i garancisë të operojë deri në 5 vjet, të krijojë kushte lehtësuese kreditimi, për një periudhë mospagimi deri në 1 vit, me interesa 0- 1 %”, – u shpreh kreu i DHTI.

Bujqësia dhe blegtoria

Bizneset përfshinë në kërkesat e tyre edhe sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke kërkuar reduktimin e TVSH-së në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në 6%. Heqjen e akcizës së gazit në 6 lekë/litër. Po ashtu u propozuan ndryshime të rëndësishme në fondin e financimit të bujqësisë, ku subvencionimi për qumësht apo krerë të jetë pa tavan. Masa që janë në sinkronizim me politikat rajonale dhe europiane.

10 lekë/litër qumështi. 10.000 lekë/krerë lopë, 2.500 lekë/dele/dhi. 20.000 lekë/ha për tokë të mbjellë me misër.

Heqja dhe reduktimi i TVSH-së për lëndët si bërsia e sojës, mineralet, vitaminat e ushqimit për kafshë dhe zogj dhe reduktimi i TVSH për misër dhe grurë që përdoret për ushqim për kafshë, pasi janë produkte jo vendase dhe duhet të importohen.

Bizneset kërkuan edhe  të subvencionohet sektori i prodhimit të mishit të shpendëve në masën 40-50 lekë/kg mish të prodhuar/shitur. Vendosjen e taksës doganore të importit për produktet e ushqimit për kafshë.

Shoqata e prodhuesëve të birrës, kërkoi heqjen e unifikimit të akcizës për birrën siç është menduar në projektligj.

Sektori i ndërtimit

Kërkesat e fundit të shoqatave të biznesit ishin të lidhura me sektorin e ndërtimit. Ata kërkuan heqjen e taksës prej 3% për banesat sociale, pasi pasi penalizon ose vë para detyrimit vetëm sektorin e ndërtimit. Propozohet të bëhet 1%. Të hiqet taksa e dherave, ku përfshihet edhe dheu që del si mbetje nga gërmimet. Kjo taksë shkon deri në 300-400 euro/m2.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të shoqatës së ndërtuesve, Luigj Alia, tha se për shkak të kësaj një qytetar e blen metrin katror të një apartamenti me 1.500 euro, sepse 500 euro i shkojnë bashkisë Tiranë, e nëse reduktohen taksat, reduktohet dhe çmimi. Ndërtuesit kërkuan edhe heqjen e taksës së qarkullimit në naftën që ata marrin pasi ata e përdorin atë si lëndë për makineritë dhe jo për qarkullim. Po ashtu, u propozuan dhe ndryshime në taksimin e ndikimit në infrastrukturë, që është 8% e çmimit të shitjes. Sipas tyre, taksat duhet të bazohet në kosto dhe jo shitje.

Deklarata drejtuar qeverisë, u bë nga Dhoma e Industrisë, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Dhoma ekonomike e gruas, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Ndërtuesve, Qendra e Eksporteve, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Konvertuesve të Plastikë.

Në fund, ata kërkuan ngritjen e një grupi pune me ekspertë nga bizneset private dhe nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë