Menaxhim

Rama: Mund t’a shtyjmë fashën 800 KWh edhe për nëntorin. Po mendohet tatimi i prodhuesve të energjisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama deklaroi se po rishikohet mundësia e shtyrjes së fashës energjetike edhe për muajin nëntor edhe pse gjasat janë që të mos ndodhë për shkak të mungesës së reshjeve, sipas tij.

“U krijua një mundësi e vogël për ta shtyrë vendosjen e fashës dhe për të mos e vënë në muajin tetor. Për shkak edhe të një moti të qëndrueshëm edhe sepse ka nisur një ndërgjegjësim për të kursyer. Patëm reshje. Për të fjetur gjumë rehat dhe për të thënë o sa mirë që doli dielli. Kemi ardhur në një kohë kur perëndia të na fali e shohim diellin me inat. Edhe për muajin nëntor po presim nëse do na krijohet një mundësi që për momentin nuk e kemi. Për momentin duhet të kursejmë, kursejmë”, – tha Rama përballë përfaqësuesve të sektorëve të ndryshëm në Përmet.

Ai shtoi dhe se në diskutim është tatimi i mundshëm i prodhuesve të energjisë pasi po marrin fitime marramendëse.

“Po diskutojmë për vendosjen e një tatimi për prodhuesit e energjisë. Sepse ata që e prodhojnë dhe e shesin kanë fitime marramendëse të cilat vijnë nga fati. Ata kanë fitime marramendëse ndërsa ne diskutojmë se nuk rrisim dot sa duhet pagat e zjarrfikëseve.  Ata përballen me zjarrin dhe hidhen në zjarr realisht. Taksa që ne duhet të vendosim është jo për të rritur të ardhurat në mënyrë abstrakte por për t’u kaluar nga prodhuesit tek njerëzit drejtpërdrejtë. Sot kemi një rritje të pensioneve si asnjëherë më parë por nuk mjafton”, – u shpreh kryeministri.

Në fund të muajit shtator, Rama njoftoi se fasha e konsumit në 800 KWh nuk do të fuqizohej më 1 tetor, por foli për një tjetër moment. Kjo sepse, sipas monitorimit konsumi kishte rënë dhe situata hidrike në kaskadë ishte përmirësuar. Sipas vendimit të ERE-s, kur fasha të fuqizohet, një kilovat përtej pragut 800, do të paguhej me 42 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë