Një nga shkaqet që e ka penguar Kukësin të jetë më lart në renditje është fusha. Kuksianët po rikonstruktojnë stadimin “Zeqir Ymeri” dhe ndeshjet si pritës i kanë luajtur në Shkodër dhe Elbasan, ku nuk kanë marrë rezultatet që prisnin. Ka pasur mungesë të theksuar tifozësh në këto ndeshje dhe drejtuesit e klubit verior kanë vendosur të ndryshojnë sërish “shtëpi”. Për të pasur mbështetjen e më shumë tifozëve, është menduar që ndeshja e radhës me Flamurtarin të zhvillohet në stadiumin e Kamzës. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit kuksian. Në Kamëz ka shumë banorë me origjinë nga Kukësi dhe pritet që në stadium të ketë më shumë tifozë për skuadrën e trajnerit Armando Cungu.
Kuptohet që fusha është një faktor shumë i rëndësishëm për rezultatet e një skuadre, por më shumë se mbështetja e tifozëve, Kukësi duket se po vuan tapetin sintetik të “Zeqir Ymerit”, që ka qenë një “armë” e fortë për të në sezonet e fundit. Sepse, edhe në Kukës nuk është se është bërë nami nga tifozët vendës. Tapeti sintetik i pengonte skuadrat kundërshtare të jepnin më të mirën në Kukës, ku vendësit ishin mësuar, duke luajtur çdo dy javë në atë fushë. Tani, duke luajtur në fushë asnjanëse, është më e vështirë që Kukësi të përballet me çdo kundërshtar.
Në njoftimin e bërë publik, klubi verior e ka argumentuar vendimin me mbështetjen e tifozëve, por kuptohet që i leverdis edhe në anën financiare, pasi kostot janë më të ulëta në stadiumin e Kamzës se në stadiumin “Elbasan Arena”. Jo më kot në njoftimin e Kukësit thuhet se do të shihet mundësia që të gjitha ndeshjet si pritës ky ekip t’i zhvillojë në stadiumin e Kamzës, nëse gjen mirëkuptimin e drejtuesve të bashkisë së Kamzës.
Çështja e stadiumeve është një problem më vete aktualisht në Superiore. Veç Kukësit, në fushë asnjanëse luajnë edhe Kastrioti, Laçi dhe Teuta, për shkak të punimeve në fushat e tyre. Në këtë situatë, është e vështirë për të gjetur një stadium të lirë për ndeshjen e radhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.