Ekspozite

Sekretet e zonave ushtarake të komunizmit ‘zbulohen’ në një ekspozitë fotografike

Nga Gazeta Si – E keni menduar ndonjëherë se çfarë fshihet brenda zonave ushtarake, hyrja në të cilat gjatë regjimit komunist ka qenë e ndaluar?

Historia e regjimit komunist gjithmonë ka nxitur kërshërinë e studiuesve të huaj, kësaj here të fotografit gjerman, Alfred Diebold.

Në 2019-n fotografi arriti të hynte në 7 zona ushtarake, të ndërtuara gjatë komunizmit. Atë kohë paranoja që Shqipëria mund të pushtohej ishte e madhe ashtu siç ishin edhe shpenzimet për këto reparte ushtarake.

“Remains of Paranoia” (Mbetjet e paranojës) quhet ekspozita në të cilën fotografi gjerman shpalos 7 repartet ushtarake të ndërtuara para viteve ’90. Fotot e realizuara duket sikur synojnë të sjellin në vëmendje këto zona ushtarake të harruara, por edhe njerëzit që shërbyen në këto hapësira.

Interesimi i Diebold për këto zona ushtarake që janë të paaksesueshme nga publiku edhe sot lindi në një mënyrë krejt të pazakontë.

“Në një udhëtim me helikopter në veri të Shqipërisë, Diebold u ndal dhe vështroi zonën ushtarake të Gjadrit. I surprizuar se si një vend i vogël, kishte aq shumë bunkerë, aeroplanë, apo tanke, ai pyeti veten se pse një lideri do t’i duhej një ushtri e madhe. Përgjigja e tij ishte paranoja. E gjithë kjo ishte për të mbrojtur pushtetin, shtetin dhe për t’i bërë njerëzit të besonin te fuqia e vendit dhe tek ideja se shteti shqiptar ishte në kërcënim të vazhdueshëm nga vendet e tjera”, shprehet për Gazetën “Si”, drejtorja administrative e COD, Ena Bulku, ndërsa shton se “ekspozita shoqërohet nga dy ese nga Alison Reilly dhe Bruce Williams”.

Fotografi gjerman, Alfred Diebold, sjell përmes imazhit të fotografive pjesë nga mjediset, si dhe objektet që ndodhen në shtatë pika kryesore, që nga Gjadri, në Qafë-Thanë e deri në Ishullin e Sazanit; bunkerë, avionë, nëndetëse, baza ushtarake të shpërndara në gjithë territorin e vendit që tani kanë pamjen e rrënojave. Për fotografin gjerman Alfred Diebold janë “Mbetje të paranojës”.

Gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri u ndërtuan me qindra bunkerë dhe vendstrehime, të ndërtuara pjesërisht me punë të detyruar ku strehoheshin armë të llojeve të ndryshme.

Bulku thotë për Gazetën “Si” se një pjesë e këtyre objekteve ushtarake që ndërtoheshin si paranojë për t’i bërë ballë çdo sulmi imagjinar, kanë ngacmuar dhe frymëzuar edhe fotografin gjerman.

“Diebold e quan veten ‘vëzhgues’. Këto zona i tërhoqën vëmendjen dhe vendosi t’i fotografonte. Ai ishte edhe kureshtar të mësonte më tepër rreth historisë së Shqipërisë dhe mendoi se këto ‘mbetje’ të regjimit mund të parashtronin përgjigje konstruktive ndaj dilemave të tij. Megjithatë, ai është i bindur se ky projekt duhet të vazhdojë dhe shqiptarët që e kanë jetuar atë kohë duhet të tregojnë historitë e tyre”, vijon më tej drejtorja e COD për Gazetën “Si”.

Ekspozita nuk tenton vetëm të na përballë me këto shtigje të së kaluarës, por edhe për të mos i lënë në harresë gjithë çka ndodhur në këto vise.

“’Historia nuk është e kaluara, por një hartë e së kaluarës, e vizatuar nga një këndvështrim i veçantë, për të qenë e dobishme për udhëtarin modern’, thotë një nga shprehjet më të famshme. Nëse të rinjtë arrijnë të njohin këto shtigje të së kaluarës, atëherë kjo e fundit nuk do ta përsërisë kurrë veten. Po ashtu vlen të theksohet se vendet dhe njerëzit që kanë shërbyer atje nuk duhet të mbesin në harresë”, vijon më tej Bulku.

Ekspozita “Remains of Paranoia” vjen si një bashkëpunim mes COD dhe Ambasadës Gjermane si pjesë e Projektit të Kujtesës në Shqipëri, i cili sjell instalimet ushtarake të epokës komuniste shqiptare nga këndvështrimi i sotëm, si edhe në kuadër të Tetorit Gjerman.

Ajo do të qëndrojë e hapur deri më datë 5 nëntor në ambientet e Qendrës për Dialog, në Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë