Drejtësia

SPAK kërkon 10 vite burg për spiunin iranian të muxhahedinëve në kampin e MEK-ut  

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 15 vite burg për Bijan Poladrag, iranianin që akuzohet për terrorizëm.

GJKKO pranoi disa javë më parë kërkesën e mbrojtjes së të pandehurit për gjykim të shkurtuar dhe në këtë mënyrë, atij i ulet 1/3 e dënimit, i cili mund të shkojë deri në 10 vjet burg.

Edhe pse 48-vjeçari i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura nga SPAK, ai dyshohet se ka qenë pjesë e anëtarëve të muxhahedinëve dhe banor i kampit të MEK të vendosur në Manzë të Durrësit, opozita iraniane kundër regjimit.

Poladrag akuzohet për një sërë veprash penale, si organizatë terroriste, sulme ndaj sistemit kompjuterik, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike të paautorizuara etj.

LEXO EDHE:
– QUDS, forcat që udhëhiqnin celulën terroriste në Shqipëri
– Sa të rrezikuar jemi nga Irani?
– Spiunazh për Iranin, dyshime nga SPAK ndaj 11 ish-anëtarëve të MEK për ngritjen e një rrjeti agjenturor

Poladrag vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe ndërkohë dyshohet se po planifikonte sulm terrorist.

Referuar dosjes hetimore, ai është larguar nga kampi dhe ka marrë me qira një shtëpi. Hetuesit kanë dyshime se ai, duke përdorur celularin e një vajze, u ka dërguar qeveritarëve iranianë të dhëna për muxhahedinët që janë në vendin tonë, fotografi dhe informacione të tjera. 

Në gusht, me kërkesë të SPAK janë ushtruar kontrolle të ndryshme në banesa dhe shoqata të disa shtetasve nga Irani, me dyshimet se ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të spiunazhit, kundër opozitës iraniane në mërgim që strehohet në Manëz.

Të dyshuarit iu zbuluan biseda dhe mesazhe në drejtim të personave që jetojnë në Iran dhe që dyshohet se janë pjesë e Gardës Revolucionare në këtë shtet.

Fillimisht, i dyshuari u hetua nga Antiterrori dhe Prokuroria e Tiranës dhe mori masën e arrestit me burg. Por më pas, SPAK ngriti dhe akuzën e organizatës terroriste, duke i çuar në pesë akuzat ndaj Poladrag.

Nëpërmjet veprimeve të ndryshme, iraniani kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celularë të shtetasve të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë