Menaxhim

A mund të krijosh varësi nga kriptot, si me kumarin?

Nga Jemima Kelly – Kam menduar gjithmonë se të blesh kripto është më pak investim dhe më shumë kumar. Aty ka premtime për t’u bërë i pasur shpejt, platforma me shumë mundësi dhe paparashikueshmëri të tregjeve.

Deri vonë nuk e kuptoja se sa i thellë dhe shqetësues ishte ky paralelizim. “Një guidë për në kripto” më çoi nga miliarderët e teknologjisë në Virxhinia tek çobanët e Uajoming. Por në kufijtë e Skocisë gjeta Kështjellën Craig, një ndërtesë e shekullit 18-ë që përdoret si qendër rehabilitimi.

Atje trajtohen të gjitha llojet e varësive, nga alkooli tek kumari, por në 2016-n, atje u regjistrua pacienti i parë me varësi klinike të kriptomonedhave. Që nga atëherë, ka punuar me 250 pacientë dhe numri shtohet nga viti në vit.

Personi që drejton klinikën e kriptove quhet Toni Marini, 57 vjeç, skocez dhe italian, që përdor të njëjtin program si për kumarin. Marini, një ish-kumarxhi, ish-alkoolizuar dhe një ish-i varur nga kokaina, më tregon se  ai u përfshi në të që pas rastit të 2016-s.

“Gjeta veten duke kontrolluar kriptomonedhat për orë të tëra dhe duke u rikthyer për të parë çmimet e tyre”, -thotë ai. “Isha i fiksuar. Truri im shkoi në të njëjtin vend ku më çonte kumari”. Ai ishte gati të investonte në to, deri sa e kuptoi rrugën e rrezikshme ku po futej.

Një pacient tregon se vendoste alarme të shumtë gjatë natës që të kontrollonte çmimet e tyre. Ai më pas krijoi varësi dhe nga alkooli e kokaina.

Jo të gjithë krijojnë varësi, sigurisht, por nuk është e vështirë të shikosh se sa të fiksohet, kur ka çmim të lëvizshëm, një treg që nuk fle kurrë dhe një komunitet aktiv në rrjet.

Por kripto ka një problem, që kumari nuk e ka; shumica e njerëzve nuk e dinë se ku po e fusin veten. Nuk ka një institucion që të rregullojë gjërat. Nuk ka një adresë online “kujdesngakriptot.org”. Agjencia e marketimit në Britani ka forcuar ligjin dhe do të ndalojë reklamimin e kriptove, por kjo do të hyjë në fuqi vetëm vitin tjetër.

“Njerëzit nuk mendojnë se kanë problem me kriptot dhe ky është problemi më i madh”, -thotë Marini. “Ata që përdornin kriptomonedhat nuk e dinë se po luajnë kumar…sepse nuk ka ligje”.

Shumica e pacientëve të kriptove kanë dhe varësi të tjera, zakonisht, kokainë dhe amfetaminë, që i ndihmon ato të qëndrojnë zgjuar gjatë natës e të monitorojnë tregjet.

Unë zakonisht tallem me “kriptoxhinjtë” dhe të gjithë botën e tyre. Por histori të tilla nuk më japin kënaqësi. Kripto mund të mbushet me meme dhe shaka, por duhet të kuptojmë që është një formë më e rëndë e kumarit./Financial Times

*Jemima është gazetare e Financial Times që shkruan për zhvillimet sociale dhe financiare midis të rinjve. Më herët ajo punonte për Reuters.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë