Një valë e re Covid-19 duket se po krijohet në Europë me ardhjen e motit më të freskët, me ekspertët e shëndetit publik që paralajmërojnë se konfuzioni mbi llojet e vaksinave në dispozicion ka të ngjarë të kufizojë marrjen e përforcuesve.
Nënvariantet e Omicron BA.4/5 që dominuan këtë verë janë ende pas shumicës së infeksioneve, por nënvariantet më të reja të Omicron po fitojnë terren.
“Qindra forma të reja të Omicron po gjurmohen nga shkencëtarët”, thanë zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) javën e kaluar.
Të dhënat e OBSH-së të publikuara po javën e kaluar treguan se rastet në Europë arritën në 1.5 milion javën e kaluar, 8% më shumë se javën e kaluar, pavarësisht një rënie drastike të testimeve. Në nivel global, numri i rasteve vazhdon të bjerë.
Ndërkohë në shumë vende është rritur numri i shtrimeve në spital.
Vaksinat për Omicron kanë dalë në Europë që nga shtatori, me dy lloje vaksinash që mbrojnë kundrejt BA.1 si dhe nënvariantet BA.4/5.
Zyrtarët europianë dhe britanikë kanë miratuar përforcuesit më të fundit vetëm për një grup të zgjedhur njerëzish, duke përfshirë të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobët.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se një çështje që i ndërlikon më tej problemet është edhe stepja e njerëzve për të bërë një vaksinë përforcuese.
“Njerëzit nuk janë gati të bëjnë një vaksinë të 4 apo të 5. Për ata që mund të jenë më pak të shqetësuar për rrezikun, mesazhet se gjithçka ka përfunduar së bashku me mungesën e ndonjë fushate të madhe publicitare ka të ngjarë të zvogëlojë marrjen e vaksinave përforcuese”, thotë Martin McKee, profesor i shëndetit publik në Shkollën e Higjienës në Londër.
Ndjenjë e rreme sigurie
Penny Ëard, pedagoge në King’s College në Londër, tha se një tjetër problem “ngatërrues” është se një pjesë mjaft e lartë e popullsisë mund të ketë kaluar Covidin në muajt e fundit”.
Ajo thotë se disa njerëz mund të mendojnë se 3 vaksina dhe kalimi i Covid i bën totalisht imunë.
Që nga 5 shtatori, kur filloi shpërndarja e vaksinave të reja në Bashkimin Europian, rreth 40 milionë doza vaksinash të prodhuara nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna janë dorëzuar në shtetet anëtare, sipas të dhënave nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Sidoqoftë, dozat javore të vaksinave të administruara në BE ishin vetëm midis 1 milion dhe 1.4 milion gjatë shtatorit, krahasuar me 6-10 milion në javë gjatë periudhës së një viti më parë, treguan të dhënat e ECDC.
“Tani njerëzit kanë shqetësime të tjera dhe i kënaq ideja se janë kthyer totalisht në normalitet duke qenë se edhe qeveritë i kanë hequr të gjitha kufizimet dhe kjo mund të sjellë një valë të re këtë fillim sezoni”, tha Adam Finn, kryetar i ETAGE, një grup ekspertësh që këshillon OBSH-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




