Nga Gazeta Si - Shkrimtari Ismail Kadare, i cili vazhdon të jetë vit pas viti mes pretendentëve për Nobelin e Letërsisë, ka ndjekur ceremoninë e ndarjes së çmimit i ulur në një nga lokalet e zonës së Liqenit Artificial në Tiranë, së bashku me bashkëshorten e tij, Helena.
Edhe këtë vit ai shpresonte të fitonte çmimin prestigjioz, të cilin e rrëmbeu shkrimtarja franceze, Annie Ernaux.
Por Kadare është shprehur se nuk është zhgënjyer për këtë fakt, madje tanimë nuk ka asnjë lloj përjetimi.
“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”, është shprehur shkrimtari Ismail Kadare për ‘Euroneës Albania’.
Ndërkohë bashkëshortja e tij, Helena Kadare është shprehur se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin, madje nuk kanë dëgjuar edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë.
“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.
Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë kanë peshë në letërsinë europiane dhe atë botërore të shekullit XX-të. Paçka se ai nuk e ka marrë çmimin “Nobel në letërsi”, ai është fitues i një sërë çmimesh të tjera.
Gjatë vitit 2019, Ismail Kadare u shpall fitues i tri prej çmimeve më të rëndësishme letrare: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai mori trofeun Neustadt (Njustad), që konsiderohet Nobeli i Amerikës. Me çmimin Pak Kyongni (Pak Knjonjí), që iu dorëzua në Korenë e Jugut, Kadare mori një prej vlerësimeve më të larta në një anë tjetër të globit, në Azi. Po në vitin 2019 Presidenti francez, Macron i dha atij titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.