Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama njoftoi sot përballë peshkatarëve në Durrës, se nafta që ata marrin do të bëhet tashmë me çmim unik për të gjithë, duke vendosur një tavan. Ai tha se kjo do të finalizohet brenda javës me një vendim të Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë.
“Loja e çmimit të naftës do të mbarojë, do të vendoset një çmim unik për të gjithë peshkatarët në Shqipëri. Dhe askush nuk do ta lëvizë. Nuk ka këtu vend për lojëra e të ketë dallim midis një furnitori tek tjetri. Të gjithë furnitorët do ta kenë çmimin njësoj. Kjo do të bëhet brenda kësaj jave. Do t’i shërbejë peshkatarëve dhe industrisë së tyre. Nuk ka vend për lojëra që të bëjnë fitim nga djersa juaj. Kush bën lëvizje nga ky çmim do të detyrohet të dorëzojë depozitat”, – paralajmëroi Rama.
Deri tani peshkatarët e blinin naftën me çmim të reduktuar pasi nuk paguanim taksën e akcizës, qarkullimit dhe karbonit.
Shoqëruar dhe nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, të dy folën për projektet që do të nisin punë në portin e Durrësit dhe dhe ne porte të tjera në vend, për standardizimin e flotës dhe kushteve të punës së peshkatarëve.
Ministrja Krifca tha se po nis puna për zgjerimin e kapaciteteve të peshkimit në portin e Durrësit dhe se do të mbarohet për 6 muaj.
“Është ende herët për tu kënaqur, por potenciali i këtij sektor është i jashtëzakonshëm. Ju shkonit të merrni naftën në Itali sepse këtu ishte e pamundur të furnizoheshit, e kishit më lehtë të shkonit atje dhe të nisnit peshkimin më pas. 90% punonit në informalitet. Porti është i juaji nuk e rrëmben njeri. Do të kthehet në një zonë me restorante e klube që do të jenë të lidhura me punën tuaj. Dekadë e rëndësishme për Shqipërinë”, – tha kreu i qeverisë në takim me peshkatarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.