Menaxhim

Shqipëria humb 5 vende në indeksin e lirisë ekonomike, por mbetet më lart se rajoni

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria renditet në vendin e 26-të në “Indeksin e Lirisë Ekonomike” nga 165 vende, cilësuar si “ndër më të lirat”, duke performuar më mirë se vendet e rajonit dhe vende të tjera më të zhvilluara në botë.

Gjithsesi nga renditja e fundit, Shqipëria ka humbur 5 vende. Raporti i Institutit Fraser ka analizuar të dhënat e 2020-s, ku Shqipëria ka një pikëzim prej 7.64 dhe në 2019-n kishte 7.79 pikë. Sa më afër 10-s, aq më i mirë vlerësimi.

Indeksi i lirisë ekonomike analizon 6 tregues, shpenzimet e qeverisë dhe normat e taksave, sistemi juridik dhe të drejtat pronësore, qëndrueshmëria e monedhës vendase, liri për tregti ndërkombëtare dhe rregullatori i kredisë, punës dhe biznesit. Liria ekonomike, sipas raportit është një koncept i bazuar në pronësinë vetjake dhe veprimet e pavarura financiare.

Përpos lirisë ekonomike, Shqipëria renditet e para në vendet e rajonit për shpenzimet qeveritare mbi konsumin dhe investimet, ku vlerësohet me 7.82 pikë. Po ashtu monedha vendase, vlerësohet me 9.79 pikë për qëndrueshmërinë e saj. Liria e tregtisë ndërkombëtare vlerësohet me 8.22 pikë, duke e renditur përsëri Shqipërinë të parën dhe të tretën në rregullatorin e kredisë, punës dhe biznesit, me 7.11 pikë. Vlerësimi më i ulët për Shqipërinë, është ai i sistemit ligjor dhe të drejtave të pronës, me 5.26 pikë.

Vendet e tjera të rajonit nuk tregojnë qëndrueshmëri në Indeks, pasi sipas treguesve ato kanë vlerësime të niveleve të ndryshme, por Bosnjë Hercegovina ka pikëzimin më të ulët në shumicën prej tyre. Kosova nuk është e përfshirë.

Indeksin e kryeson Hong Kong me 8.59 pikë, që ka pësuar rënie nga viti paraardhës,  ndjekur nga Singapori 8.48 dhe Zvicra 8.37 . Në vend të fundit renditen vende si Sudani dhe Venezuela me pikëzim 4.21 dhe 3.32 respektivisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë