Futboll

E shtuna e barazimeve në Superligën Shqiptare

Dy ndeshje katër gola, pa asnjë fitues, ky është bilanci i takimeve të para të Kategorisë Superiore këtë të shtunë. Kamza-Tirana dhe Flamurtari-Teuta janë ndarë me nga një pikë në ndeshjet e para të fazës së dytë. Të dyja sfidat, shumë të ngjashme me njëra-tjetrën janë zhvilluar nën një atmosferë të tensionuar nga fillimi deri në fund, ku edhe arbitrat janë bërë protagonistë me vendimet e tyre.

“Derbi” i vogël mes Tiranës dhe Kamzës, ka konfirmuar edhe një herë krizën ku janë futur 24 herë kampionët e vendit. Me Ardian Memën në stol sërish Tirana nuk por jep shenja reagimi dhe vijon të jetë në pjesë e poshtme të tabelës. Jo më shumë pozitive është gjendja edhe te Kamza, që nuk fiton në Superligë që prej gjashtë ndeshjes. Në nje ndeshje të tensionuar dhe të mërzitshme, ku më shumë u luaj në mesin e fushës, ato ato që kanë vendosur, ishin dy golat në pjesën e dytë. Ishte Tirana që kaloi e para në avantazh me anë të Sentamu, por vetëm 5 minuta më vonë, Fukui çoi shifrat në barazim. Rezultati nuk ishte i pëlqyeshëm për asnjë prej ekipeve, por nuk mundën dot të ta ndryshonin deri në fund. Pas këtij barazimi, Tirana mbetet në vendin e 7 në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Kamza një pozitë më poshtë me 8 pikë. Situata në të dy skuadrat vazhdon të jetë e lëkundur për të dy kampet.

Tekniku bardheblu, Mema pas ndeshjes u shpreh i zhgënjyer me rezultatin dhe mënyrën se si e interpretuan lojtarët e tij këtë sfidë. “Patëm shumë mundësi për të shënuar. Kam pak rezerva për gjykimin edhe pse ndoshta nxitohem nga emocionet. Arbitri është një ndër gjërat që do të shoh, ka pasur momente të diskutueshme që dua t’i shoh i vetëm. Nga lojtarët nuk pranoj justifikime në lidhje me gjykimin. E përgatita skuadrën për 3 sisteme loje, duke parë edhe ndeshjet e Kamzës, e vendosur me romb në mesfushë, ndaj ishim përgatitur për disa vendosje në fushë. Lojtarët duhet ta lexojnë mirë situatën, si të ushtrojnë presion dhe të lëvizin si grup.”- tha trajneri bardheblu ndër të tjera.

Ndërsa Klodian Duro pas këtij barazimi në shtëpi për mënyrën se si erdhi ndeshja tha se ndoshta ishte rezultati më i drejtë për të dyja ekipet. “Ashtu si erdhi ndeshja, mendoj se në fund duhet ta pranojmë këtë rezultat që dha fusha. Vinim nga një humbje në Korçë, ka qenë shumë e vështirë ta përgatitim ndeshjen. Presidenti ka të drejtë të marrë vendime edhe për pezullim, por jemi munduar ta mbajmë skuadrën në maksimum, duke luajtur të njëjtën lojë si në këtë periudhë. Duhej të shënonim në pjesën e parë, sepse patëm raste të mira.”- u shpreh ndër të tjera tekniku u Kamzës.

Barazim dhe tension edhe në ndeshjen në Vlorë

Në barazim 1-1 u mbyll edhe sfida e mbrëmjes e luajtur në Vlorë mes Flamurtarit dhe Teutës. Ashtu si në fazën e parë mes dy skuadrave bregdetare nuk ka fitues dhe ekipet ndahen në barazim, Një rezultat i tillë mund të quhet i “paqtë”, por mes Flamurtarit dhe Teutës kurrsesi nuk mund të konsiderohet si i tillë. Shumë kartonë të verdhë dhe gabimet e arbitrit ishin ato që mund të veçohen më shumë nga kjo ndeshje se sa loja e ekipeve. Flamurtari shënoi i pari me anë të brazilianit Danilo Alvesh, por vlonjatët u ndëshkuan nga një “ish”, pikërisht Gerhard Progni që ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tij me fanellën kuqezi.

Ndonëse Flamurtari në disa momente u tregua më kërkues që të merrte tre pikët përballë tifozëve të tij, sërish shifrat nuk ndryshuan. Teuta e Bledi Shëmbit tregoi se është në një moment të mirë në kampionat dhe ishte shumë e organizuar në lojën e saj. Pas këtij barazimi të dyja ekipet nuk ndryshojnë pozicionet e tyre në tabelë dhe mbajnë respektivisht vendin e 5-të dhe të 6-të me nga 15 pikë.

Ndërkohë në prononcimin e zakonshëm pas ndeshjes, trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja u shpreh shumë i indinjuar me arbitrin e ndeshjes.

“Lojtarët më thanë pas ndeshjes që kishin frikë të ndërhynin, sepse çdo kontakt jepej faull kundër nesh. Marr përgjegjësinë time, është e qartë, por po shoh që arbitrat po bëhen ekspertë dhe nuk po zbatojnë të njëjtin standard, është e qartë që është një problem madhor. Pastaj dëgjoj edhe specialistë të ndryshëm që japin mend nëpër studio televizive edhe pse ka pasur vetëm 2 ditë karrierë në Superiore. Është natyrale që unë kam përgjegjësinë time, por nuk mund të duroj disa komente nga persona që nuk kanë fituar asgjë në jetë dhe që kanë drejtuar e shumta 4 ndeshje në ekipet e para dhe mbahen si opinionistë të futbollit shqiptar.”- ka deklaruar Ilir Daja pas barazimit me Teutën.

Më i butë ka qenë trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi në prononcimin e tij pas ndeshjes. Tekniku korçar është i shprehur u kënaqur me reagimin e skuadrës së tij pas golit të pësuar në pjesën e parë.

“Jam shumë i kënaqur me futbollistët, sidomos për reagimin pas pësimit të golit. U munduan të luajnë, të luftojnë dhe bënë atë që kemi bërë në stërvitje. Barazimi jashtë fushe nuk është i keq, edhe pse patëm raste për të fituar, por edhe Flamurtari pati raste, ndaj barazimi është i drejtë. Nuk e di pse u krijua tensioni, Teuta ka qenë dhe do të jetë e qetë, nuk ka pse të pyesni ne për tensionin në fushë.”- u shpreh ndër të tjera Bledi Shkëmbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë