Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi se brenda vitit 2025, Shqipëria do të ketë një sektor të diversifikuar të energjisë, ku prodhimi vjetor në vend do të rritet me 4 Terravat nga burime të rinovueshme, përtej asaj hidrikes.
Të parat do të jenë 6 parqe eolike, që sapo janë licencuar, me fuqi 150 MWh, ndjekur nga termocentrali i Vlorës, parku fotovoltaik i Karavastasë dhe prodhues të tjerë privatë.
Në dhjetor 2023, ministrja tha se nis prodhimin moduli i parë i TEC Vlorës, me 100MWh. 115 MWh do të jenë energji nga impiantet private dhe që mund të shkojë në tregun e lirë. Në vitin 2024, 140 MWh do të prodhohen nga parku i Karavastasë dhe 610 KWh të tjera nga impiante private solare Në 2025-n, vihen në punë dy modulet e tjera të TEC Vlorës me 250 MWh dhe parku i Spitallës me 150 MWh të tjerë.
“Janë kompani Franceze, gjermane, turke, turke dhe shqiptare. Kemi vendosur një tavan, që do të jetë 75 euro për megavat orë. Ofertat do të lëvizë nga 75 euro e poshtë. Duke qenë se çmimet janë të paparashikueshme në tregjet e huaja. Ky do jetë përfitim për ne për lidhjen e kontratës me çmimin maksimal deri në 75 euro”- tha ministrja Balluku.
Ministrja njoftoi edhe se do të ketë një tjetër takim me shoqatat e biznesit dhe do të konsiderohen kërkesat e tyre për t’i lehtësuar prodhimin e energjisë për konsum, por pa qëllimin e shkëmbimit të kësaj energjie.
Balluku, në pozicionin edhe të zëvendëskryeministres, përmendi dhe se nga 1 tetori TaskForca për energjinë do të kontrollojë dhe do të dënojë lidhjet e paligjshme, por do të bëhet edhe monitorimi i konsumit të institucioneve publike.
“Ne do të dalim me një akt, ku institucionet duhet të konsumojnë 15% më pak energji se i njëjti muaji i një viti më parë. Në rang kombëtar, kjo është 5%”. Sipas saj, monitorimi do të bëhet me lexuesit e zgjuar të energjisë, pasi fashat lënë hapësirë edhe për abuzim.
Në mbyllje të takimit me përfaqësues të sektorit energjitik, ministrja përmendi edhe masat e fundit kundër ndërtimeve ilegale ku tha edhe se do të vendoset një koeficient për çdo m2 katror të pallatave pa leje, për t’u paguar si gjobë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



