Rreth 79 për qind e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë në vendet e Ballkanit Perëndimor emigrojnë për paga më të larta, sipas një ankete nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik(OECD).
Anketa e realizuar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor thekson se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të rinjve deri në moshën 24 vjeç që emigrojnë.
Nga një listë me 13 arsye të mundshme që i kanë shtyrë ata në emigrim, kryesojnë pagat më të larta por edhe nivelet e korrupsionit në Shqipëri.

“Një grup faktorësh që nxisin emigrimin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnjë, Maqedoni, Mal i Zi ndër të tjera, lidhen me standardet më të ulëta të jetesës në krahasim me vendet e destinacionit, nivele më të larta të korrupsionit dhe paqëndrueshmëria politike”, thekson anketa.
Më tej ajo evidenton se të punësuarit marrin mesatarisht paga shumë më të ulëta se punonjësit në destinacionet kryesore të BE-së. Për shembull pagat minimale mujore në Gjermani dhe Francë dy herë më të larta se në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbi, dhe gati katër herë më e lartë se në Shqipëri.
“Sistemet arsimore të Ballkanit Perëndimor shfaqin dobësi të forta duke u bërë shkak për emigracion. Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) tregon se mesatarisht gjysma e të gjithëve 15-vjeçarëve në rajon nuk i arrijnë aftësitë bazë në shkrim-lexim apo në matematikë. Më shumë se dy të pestat e bizneseve të anketuara në Rajon përmendin mungesën e aftësive të aplikantëve si arsye për vendet e lira të paplotësuara”, shkruan anketa.
Anketa evidentoi se, zhvillimi i sektorit privat pengohet nga një klimë sfiduese e biznesit, nivele të larta të korrupsioni dhe lidhjet e dobëta ndërmjet investimeve të huaja direkte (IHD) dhe sektorëve vendas. Për më tepër, më shumë se një e pesta e bizneseve në Ballkanin Perëndimor e identifikojnë korrupsionin si një pengesë kryesore për të bërë biznes në Rajon.
“Një mjedis i tillë pengon potencialin për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, të cilat nga ana e tyre mund të përforcojnë faktorët e emigrimit” thuhet në studimin e OECD-së.
Anketa vë në dukje se, normat e larta të emigrimit mund të çojnë në mungesë të aftësive dhe në shtrembërime të tregut të punës në Ballkan. Nivele të larta emigracioni mund të rezultojë në një humbje të investimeve në kapitalin njerëzor dhe të pengojë rritjen e produktivitetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




