Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni i parë i Ekonomisë për sesionin e vjeshtës, nisi me rishikimin e buxhetit 2022 nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila njoftoi se 6.1 mld lekë do të përdoren për paketën e dytë anti-krizë.
“Ky akt normativ i përgjigjet krizës së energjisë dhe të çmimeve. Fokusi është akomodimi i mbështetjes për kategoritë më vulnerabël. Synimi është shtrirja në kohë e paketës për të përballuar rritjen e çmimeve. Janë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën”, – u shpreh ministrja e Ekonomisë.
Ministrja Ibrahimaj shtoi se pritshmëritë për të ardhurat janë rritur dhe janë ulur ato për deficitin buxhetor. Rritja ekonomike për vitin 2022 pritet të jetë më shumë se 3.2%, sipas ministres përgjegjëse për Ekonominë.
Lidhur me përqinden e lartë të suficitit dhe se çfarë do të bëhet me të, ministrja Ibrahimaj tha se kjo ka ndodhur sepse nuk janë jetësuar ende investimet kapitale, ku do të shkojnë këto para ekstra.
Ish-ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj, pjesë e komisionit, tregoi se shpenzimet korrente dhe kapitale pritet të reduktohen me 5.1 mld lekë për t’u rialokuar në vende të tjera, dhe shpenzimet vendore me 58 mln lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.