Nga Gazeta ‘SI’ – Ditën e sotme është hapur një nga nënkalimet e Unazës së Madhe në zonën juglindore të Tiranës dhe rrethrrotullimi i TEG.
Këtë e ka lajmëruar kryministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, të cilët kanë qenë të pranishëm në zonë.
Sipas kryeministrit Rama, kjo do të çlirojë ngërçin e madh të krijuar nga rritja e ndjeshme e trafikut dhe se garanton lëvizje të pandërprerë të automjeteve në autostradën Tiranë – Elbasan, duke krijuar mundësinë për hyrje-dalje nga autostrada Tiranë–Elbasan për Unazën e Madhe të Tiranës. Hyrje-dalje nga autostrada Tiranë–Elbasan për zonën e banuar në Kodrat e Saukut dhe fshatrat Baldushk e Petrelë.
Rama tha se askush nuk mban peng projektin, lidhur me situatën e shpronësimeve, por se do të stimulohet strehimi social.
“Çështja është që askush nuk mund ta marrë peng projektin. Formula është shumë pozitive dhe u bënë disa kohë që kemi hyrë në këtë formulë pozitive sepse duam të stimulojmë edhe strehimin social, duam të stimulojmë gjithë qasjen tonë solidare me gjithë grupet shoqërore dhe absolutisht dikush që është në mes të rrugës, siç ishin dhe ata tek 5 Maji dhe që merr një ofertë bujare, solidare, sociale që pavarësisht se është komplet pa leje, pavarësisht se nuk ka as tokën aty e asgjë, të trajtohet me qera e me një kontratë të qartë që do trajtohet pastaj me strehim social në momentin që do kemi në dispozicion apartamente, sepse futet në një listë ku ka prioritet, të thotë “jo nuk dua”, kjo nuk funksionon, – tha Rama.
Zv. kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku tregoi se 85% e punimeve ka përfunduar dhe se automjetet janë tashmë të lirë plotësisht për lëvizje dhe se koha e aksesimit është shkurtuar.
“Sot mbi 85% e punimeve janë të përfunduara. Nuk jemi më në kushtet e hapjes provizore. Policia e Shtetit ka marr në dorëzim mbikëqyrjen e aksit dhe mbeten punë të vogla që kanë të bëjnë me gjelbërimin, ndriçimin, me rrugët lidhëse paralele me veprën, që do të përfundojnë sipas kontratës. Kjo është një nyje shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh dhe funksionet që ka. Lidhjen me unazën Lindore, kalimin e të gjithë automjeteve pa bërë më rreth rrotullimin në drejtim të Elbasanit dhe të gjithë automjetet që vijnë nga Elbasani për në Tiranë nuk do të bllokohen më. Sigurisht i shërben dhe pjesës së kësaj qendre, që është krijuar një pol ekonomik tashmë dhe ndërtesave të tjera që shërbejnë për zyra. Kështu që këtu kemi një frymëmarrje të re të trafikut. Koha do të shkurtohet për të aksesuar të gjitha degët e tjera të unazës së madhe, e cila ka një kompleksitet të shtuar për shkak dhe të shpronësimeve dhe paketës së kompensimit që po aplikojmë në këtë zonë”, – u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


