Shendet

OBSH: Përhapja e lisë së majmunit mund të eliminohet në Europë

Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë thënë se përhapja e lisë së majmunit mund të eliminohet në Europë duke qenë se rastet e reja janë gjithmonë në rënie në disa vende.

Ka shenja kurajuese të një rënieje të qëndrueshme javë pas jave të fillimit të rasteve në shumë vende europiane, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Portugalinë, Spanjën dhe Britaninë, si dhe një ngadalësim në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.

“Ne besojmë se mund të eliminojmë transmetimin e vazhdueshëm nga njeriu te njeriu i lisë së majmunit në Europë”, tha drejtori rajonal i OBSH-së për Europën Hans Kluge.

Catherine Smallwood, zyrtare në OBSH thotë se një nga arsyet pse nuk ka pasur përhapje të rasteve është fakti se që në fillim të infektuarit janë zbuluar herët, gjë që çon në izolim të pacientëve.

Më shumë se 47,600 raste të konfirmuara në 90 vende janë raportuar që nga fillimi i majit. OBSH e ka shpallur shpërthimin një emergjencë shëndetësore globale.

Ndërkohë, rastet e COVID-19 dhe viruseve të tjera të frymëmarrjes gjithashtu pritet të kenë një rritje këtë vjeshtë dhe dimër, siç ndodh zakonisht në muajt e ftohtë, thanë zyrtarët e OBSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë