Njerez

Shqiptari që kaloi nga punëtor i thjeshtë në drejtor te McDonald’s

Nima Rama filloi të punonte në McDonald’s në moshën 14-vjeçare dhe sot është 35 vjeç. Karriera e tij në McDonald’s e ka çuar atë në të gjithë Bregun Lindor dhe e ka bërë drejtor operacionesh.

Rama tha se ai që adoleshent ka synuar të arrijë sa më lart.

Që 14 vjec, ai telefononte McDonald’s duke kërkuar më shumë orë që të mund të përballonte të blinte gjërat që donte.

“Unë gjithmonë merrja në telefon në punë duke pyetur nëse kishin nevojë për ndihmë sepse më duheshin para për të blerë një celular”, thotë Rama.

“Unë kam qenë gjithmonë i drejtuar nga qëllimi. Në fillim ishte një celular dhe më pas u bë makinë”.

Rama thotë se gjithë këmbënguljen e ka falë familjes së tij që emigruan nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara në vitin 1976 dhe ata i futën në gjak atij punën e palodhur.

“Ne erdhëm në këtë vend duke nisur gjithçka nga fillimi dhe gjithmonë më është thënë se duhet të punoj shumë për të arritur diçka.  Që nga prindërit e deri te mentorët e mi, të gjithë më shtynin dhe më thoshin të vazhdoja, sepse qielli është kufiri”, thotë Rama.

Rama tregon se gjithmonë ka pasur një plan dhe gjithçka që duhej të bënte ishte ta zbatonte.

Rama tregon se ka punuar në çdo pozicion në McDonald’s. Ai filloi në qytetin e tij të lindjes, Jefferson, Wisconsin, si anëtar i ekipit.

“Kam punuar si trajner, shef ekipi dhe menaxher turni”, tha ai.

Rama tregon se McDonalds i ka dhënë atij mundësi për të parë botën, për të punuar në tregje të reja dhe për t’u rritur si individ.

Ai u transferua në Çikago menjëherë pasi zotëroi çdo pozicion në qytetin e tij të lindjes.

Në Çikago, ai i vuri qëllim vetes të bëhej menaxher i përgjithshëm. “Unë pashë strukturën e McDonalds”, tha ai. “Pashë përfitimet dhe pashë që qielli ishte kufiri. Fillova të kuptoj se mund të hysh dhe të bëhesh çdo gjë”.

Rama thotë se McDonald’s ofron një sërë rrugësh të ndryshme për mundësitë e karrierës.

“Ka marketing, trajnime, ngritje në detyrë, ka kaq shumë nivele të ndryshme për McDonald’s dhe kjo më ka magjepsur”, thotë ai.

Rama thotë se komponenti kryesor për të arritur këtu ku është sot ishte të mësonte nga njerëzit përreth tij. Kjo ishte arsyeja pse ai mundi të ishte i suksesshëm.

Përfundimisht, Rama e realizoi ëndrrën e tij për t’u bërë menaxher i përgjithshëm kur u zgjodh për atë punë në Miami, Florida.

Ai menaxhoi dyqanin për tre vjet dhe iu dha çmimi Ronald. Çmimi Ronald është një çmim prestigjioz që i jepet pronarëve/operatorëve në të gjithë vendin, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e imazhit të markës McDonald’s.

McDonald’s ofron mundësi për këdo që dëshiron të ngjisë shkallët e suksesit.

Pas marrjes së çmimit, ai u zhvendos në Jacksonville, Florida për të filluar një udhëtim tjetër.

Pasi qëndroi për një kohë në Jacksonville, Rama u zhvendos në Hjuston, Teksas, ku ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e gjashtë dyqaneve. Ai tha se mori një telefonatë nga mentori i tij, i cili e trajnoi atë për shkak të potencialit që shihte tek ai.

“Më futi ketchup në vena”, thotë Rama me shaka. Ai tha se mentori i tij ishte një djalë i ashpër, i cili e stërviti dhe i tha të mirat dhe të këqijat.

“Ai më mësoi etikën e punës, si të kuptoj biznesin, udhëheqjen dhe komunikimin efektiv”, tha ai duke shtuar se komunikimi ishte një pjesë e rëndësishme sepse McDonald’s është një biznes i njerëzve dhe pavarësisht sa të mira janë burgerët dhe patatet e skuqura ose sa mirë bëjnë marketing, nëse nuk jeni të sjellshëm me njerëzit, dyqani nuk do të ketë sukses.

“Unë nuk dua që njerëzit të punojnë për mua sepse ata duhet ta bëjnë”, tha ai. “Unë dua që ata të punojnë me mua sepse ata duan”.

Ai tha se dëshiron që mjedisi në të cilin punon të jetë pozitiv, ku njerëzit janë të lumtur që vijnë në punë dhe janë gati të rriten. Ai tha se njerëzit me të cilët punon janë më shumë se kolegë. Ai u referohet atyre si “populli i tij”.

“Unë mund ta ndjej dhimbjen e tyre”, tha ai. “Unë mund të kuptoj se çfarë po kalojnë dhe kur jemi në takime mundohem të flas me to përtej punës”.

Rama thotë se njerëzit duhet të kapërcejnë tendencën për të parë vetëm atë që kanë përpara dhe kurrë atë që është përtej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë