Politike

Kriza energjitike, Rama kërkon ndihmë nga BE: Shpresoj mos bëjë gabimin e turpshëm si në pandemi

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria u është bashkuar pa asnjë ngurrim sanksioneve dhe të gjitha qëndrimeve të Perëndimit ndaj Rusisë si kundërpërgjigje ndaj ofensivës ushtarake të Moskës ndaj Ukrainës.

Ai tha se ndryshe nga një pjesë e mirë e vendeve të BE-së, vendimi i Shqipërisë ishte më i lehtë për t’u marrë, pasi sipas tij, vendi ynë nuk ka nevojë për gazin rus.

“Shqipëria është shumë unike. Ne nuk kemi nevojë për gazin rus, prandaj reagojmë fort ndaj Rusisë. Prodhimi ynë i energjisë është në bazë ujore. Kemi marrë një vendim kurajoz të mos prekur çmimet për familjarët dhe bizneset e vogla dhe koha do ta tregojë nëse është vendim i drejtë apo i gabuar. Po e mbulojmë nga buxheti diferencën e rritjes së çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Kryeministri foli në forumin strategjik të Bledit në Slloveni. Ai tha se pavarësisht se nuk ka nevojë për gazin rus dhe prodhon energjinë përmes burimeve hidrike, Shqipëria sërish është e cenuar nga rritja e çmimeve. Për këtë arsye, ai tha se BE nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim si me pandeminë me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i lënë jashtë skemave mbështetëse.

“BE na ka dhënë shumë fjalë, ndonjëherë i mbajnë dhe ndonjëherë nuk i mbajnë. Ne ja kemi dalë të vazhdojmë kështu, duke mos e rritur çmimin e enegjisë asnjë cent. Kemi inflacionin më të ulët në rajon. Kur krizat të mëdha vijnë ata që kanë më shumë problem janë të pasurit sesa të varfrit. Unë e shoh Ballkanin si tërësisht të drejtë dhe besnik e krah Ukrainës deri në fund. Shpresojmë që BE nuk do të bëjë gabimin e turpshëm si gjatë pandemi për krizën e çmimeve pas luftës në Ukrainë, ku nuk na dhanë vaksina. Ne jemi në zemër të BE-së”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë