Mediat gjithmonë dëshirojnë të bëjnë tituj të zhurmshëm, kështu që shumë ekspertë që dikur flisnin për “Dorëheqjen e Madhe” tani kanë nisur të flasin për një sërë fenomenesh të tjera “të Mëdha” – Pendimi i Madh, Rinegocimi i Madh, Riorganizimi i Madh.
Por, mos bini pre e këtyre titujve. Pavarësisht frikës për një recesion të mundshëm, papunësia është në nivele rekord të ulëta dhe punonjësit po vazhdojnë të largohen nga punët e tyre në shifra të larta.
Me pak fjalë, nëse jeni pronar i një biznesi, ju me të vërtetë nuk do të dëshironit që t’ju duhej të punësonit njerëz të rinj në rrethana të tilla, nëse kjo do të ishte e mundur. Pra, si të siguroheni që punonjësit tuaj aktual të mos largohen nga puna?
Mos i neglizhoni bazat
Kjo është, natyrisht, një pyetje miliona dollarëshe dhe ekspertë të shumtë kanë ofruar këshillat e tyre për këtë. Pagat e mëdha dhe tranzicioni drejt punës hibride mund të jenë efektive, por mos lini pas dore bazat më të rëndësishme.
Siç vë në dukje Claire Lew, CEO e kompanisë që zhvilloi programin për bashkëpunimin mes kolegëve, “Know Your Team”, thjesht bisedat periodike me punonjësit tuaj, në lidhje me përvojat dhe aspiratat e tyre, janë një nga mënyrat më të fuqishme për të nxitur qëndrimin e tyre në kompani.
“Sigurisht, sondazhet mund të ishin të dobishme për ofrimin e disa të dhënave bazë ose për të kuptuar ndjesinë e përgjithshme të punonjësve, por, kur ulemi personalisht me ta, ballë për ballë, ne mund të kuptojmë thelbin e arsyeve që po inkurajojnë secilin prej tyre që të qëndrojë në këtë punë.
Në vend të përgjithësimeve të mëdha të supozimeve tona të projektuara, një bisedë e tillë hedh dritë mbi atë që mund të bëjmë për çdo person specifik për të cilin ne duam që të qëndrojë në kompani. Vetëm atëherë, ne mund të kuptojmë saktësisht se çfarë hapash duhet të ndërmarrim.” shkruan ajo në blogun e kompanisë.
Pra, çfarë pyetjesh duhet t’i bëni punonjësve tuaj kur i thërrisni ata për takimin e përmuajshëm?
Lew ofron nëntë sugjerimet e mëposhtme:
- Gjatë muajve të fundit, kur jeni ndjerë më i motivuar ose më energjik në punën tuaj?
- A është e qartë për ju pse puna që bëni ka rëndësi për të gjithë organizatën?
- Cila nga aftësitë tuaja mendoni se nuk po përdoret më së miri në rolin tuaj aktual?
- A ka ndonjë pjesë të ekipit me të cilin do të dëshironit të ndërvepronit më shumë?
- Si ndiheni për nivelin aktual të ndërveprimit social me ekipin?
- Si preferoni që të vlerësoheni për punën e mirë që bëni?
- A ka ndonjë aspekt të organizatës për të cilin do të dëshironit të dinit më shumë?
- Çfarë ju është dukur e paqartë apo e mërzitshme kohët e fundit?
- Deri në çfarë niveli do të thonit se vizioni i organizatës është i qartë?
Takimet ballë për ballë me punonjësit nuk janë ndonjë risi e menaxhimit. Çdo lider e ka të qartë se duhet të flasë me punonjësit e tij. Por, kur të gjithë janë të zënë dhe puna bëhet kaotike, atëherë është shumë e lehtë të neglizhosh këtë kërkesë themelore të lidershipit.
Biseda është çuditërisht një mjet shumë i mirë për mbajtjen e punonjësve
Studimet sugjerojnë se Lew ka të drejtë kur paralajmëron se nëse menaxherët nuk flasin me punonjësit e tyre për mënyrën se si po ecin në punë dhe drejtimin profesional të cilin po marrin, atëherë kjo do t’i kushtonte humbjen e punonjësve më të mirë.
Një studim i fundit nga platforma e menaxhimit të njerëzve, Lattice, zbuloi se gati 43 për qind e punonjësve mendojnë që përparimi i tyre në karrierë është ngadalësuar ose ka mbetur në vendnumëro.
Thjesht duke folur me punonjësit tuaj për mundësitë e përparimit në karrierë dhe për mënyrat se si kompania mund t’i ndihmojë ata që të arrijnë qëllimet e tyre, ju do të ndikonit shumë në gatishmërinë e tyre për të qëndruar në punë, sipas CEO të Lattice, Jack Altman.
“Mënyra më e mirë për t’u siguruar që punonjësit të mund të shohin rrugën që kanë përpara, është nëpërmjet komunikimit efektiv dhe të vazhdueshëm. Inkurajimi i menaxherëve që të ulen rregullisht me ekipet e tyre dhe të diskutojnë për planet e rritjes personale dhe të zhvillimit profesional, është thelbësor,” komentoi ai.
Të dy këta CEO kanë të njëjtin mesazh të thjeshtë, por të dobishëm për menaxherët – mos i neglizhoni bazat, veçanërisht në këto momente. Nëse dëshironi që njerëzit tuaj të qëndrojnë në kompaninë tuaj, ju duhet të zhvilloni biseda të mirëmenduara, kokë më kokë me ta, të paktën çdo muaj.
Burimi: INC/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



